Kina mbërrin në portat e Evropës – Shqip

by admin
Spread the love

Nga Federico Giuliani

“Il Giornale”

Marrëveshje tregtare, eksportet dhe importet në rritje, një transport detar me volum të lartë dhe portet të tejngarkuara. Në këtë mënyrë Kina po e konsolidon praninë e saj në portat hyrës të Evropës. Këtë gjë e ka bërë prej vitesh, deri në pikën që sot, në të paktën 3 zona strategjike, Pekini mund të luajë një rol themelor në lidhje me dinamikën ekonomike që prek Kontinentin e Vjetër.

Ballkani, që disa e cilësojnë si “nënbarkun e butë të Evropës”, është një nga shembujt kryesorë. Sipas Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), gjatë viteve 2009-2021, Kina ka investuar 32 miliardë euro në rajon, në projekteve të llojeve të ndryshme.

Vetëm në Serbi, investimet kineze kanë arritën në 10.3 miliardë euro. Sigurisht, pavarësisht hyrjeve të mëdha të kapitalit kinez, BE-ja mbetet ende partneri kryesor ekonomik në rajon, me 70 për qind të totalit të investimeve të huaja direkte dhe 81 për qind të eksporteve.

Por gjërat nuk po shkojnë ashtu siç do të dëshironte Brukseli. Gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia), kanë një kërkesë vjetore për investime prej rreth 7.7 miliardë eurosh.

Investimet cilësore janë të rralla, dhe ato pak që janë të pranishme, janë të lidhura me kushte politike, mjedisore apo sociale të cilat pushtetet vendore e kanë të vështirë t’i respektojnë. Ky është vendi ku Kina gjeti hapësirë për të depërtuar në periferi të Evropës.

Më në jug të Evropës, në Afrikën e Veriut, kemi një tjetër zonë të ndjeshme ndaj interesave kineze, e cila nga pikëpamja e Pekinit, mund të përkufizohet si porta hyrëse për në Detin Mesdhe. Pas nisjes së Rrugës së Re të Mëndafshit (ose Nismës së Brezit dhe Rrugë, BRI), brezi verior i Kontinentit të Zi pati një peshë të madhe strategjike për Kinën.

Pra, Pekini e sheh Afrikën e Veriut si një lloj porte me 3 drejtime: në pjesën tjetër të Afrikës, në Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme. Dhe kjo na çon në zonën e tretë, e cila ka qenë prej kohësh në vëmendjen e Kinës: Deti Mesdhe. Gjiganti aziatik kontrollon shumë porte në rajon.

Kështu 3 gjigantët kryesorë kinezë të transportit, Cosco Shipping Ports, China Merchants Port Holdings dhe Qingdao Port International Development zotërojnë aksione në porte të ndryshme të Mesdheut. Lista është e gjatë:porti i Pireut, Valencias (51 për qind nga Cosco), Casablanca (49 për qind nga Cosco), Vado Ligure (40 për qind nga Cosco, 10 për qind QPI), Bilbao (40 për qind Cosco), Ambarli (26 për qind Cosco), Marsejë  (25 për qind CMPort), Port Said (20 për qind Cosco) dhe Tanger Med (20 për qind CMPort).

Këtyre u shtohen Chercell në Algjeri, dhe Haifa e Ashdod në Izrael.

Ballkani: Rruga e Kinës për në Evropë

Po çfarë kërkon Kina në kufijtë e Evropës? Shumë e thjeshtë: marrëveshje tregtare dhe politike, që janë të afta të garantojnë burime dhe një prani strategjike në kontekstin e tërheqjes së largët të luftës me Shtetet e Bashkuara. Le të marrim Ballkanin. Këtu Kina ka treguar se është serioze në synimet që ka.

Të dërguarit e Pekinit prezantohen para presidentëve të ndryshëm me një qëndrim miqësor, dhe janë të lumtur të japin hua. Në këmbim, Pekini e zgjeron sferën e tij të ndikimit në rajon, duke e larguar atë nga kundërshtarët politikë (në fakt tërheqja e Rusisë, i ka lënë dorë të lirë projekteve kineze).

Kina është përpjekur të paraqitet në rajon si një investitor strategjik, pra si një investitor që nuk ndërhyn në çështjet e brendshme politike, dhe që është i gatshëm të mbyllë sytë ndaj disa aspekteve si ndihma shtetërore, korrupsioni apo ligjet e punës. Fokusi kryesor ishte infrastruktura e transportit (linja hekurudhore që niset nga porti i Pireut në Greqi, kalon në Beograd dhe mbërrin në Duisburg të Gjermanisë).

Më pas u shtri në industri, energji dhe komunikim. BRI shërben si korniza kryesore për zgjerimin e pranisë ekonomike të Kinës në rajon, dhe i garanton asaj qasje në rrugët kryesore tokësore dhe detare. Huatë dhe investimet në biznese, e forcojnë më tej pozitën e ish-Perandorisë së Mesme (por duhet thënë se shpesh krijojnë edhe varësi, madje edhe kurthe borxhi). Në përgjithësi, Pekini e konsideron rajonin e Ballkanit si derën e përsosur për të hyrë në Evropë.

Afrika e Veriut: Qasja në Mesdhe

Për shekuj me radhë, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut kanë qenë tradicionalisht jashtë sferës së interesit të Kinës. Por kohërat kanë ndryshuar dhe sot për një fuqi në rritje si ajo e Kinës, do të ishte e pamendueshme të injorohej ky rajon. Vlen të fokusohemi tek 3 vende kyçe: Algjeria, Libia dhe Egjipti.

Në Algjeri, kinezët janë të pranishëm në sektorin e energjisë, por edhe në atë të infrastrukturës. Gjatë viteve 2000-2014, Pekini ka ndërtuar atje 13.000 kilometra rrugë të reja dhe 3.000 km hekurudha, por edhe stadiume, diga, porte dhe rafineri nafte.

Po ashtu është planifikuar ndërtimi i disa aeroporteve, xhamive dhe i një porti të madh. Në Libi, Kina po punon për të kryer investime në sektorin e naftës dhe energjisë. Egjipti, vendi që kontrollon Kanalin e Suezit, është partneri i tretë tregtar i Kinës në Afrikë. Vetëm për të kuptuar volumin tregtisë midis 2 vendeve, në vitin 2017 shifra ishte 10.8 miliardë dollarë.

Ndërkohë importet egjiptiane nga Kina i kalonin 8 miliardë dollarë. Sipas Shkollës së Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhon Hopkins, huatë kineze për qeveritë e Afrikës së Veriut i tejkaluan 4.6 miliardë dollarë në periudhën midis viteve 2000- 2017. Në vend të parë renditet Egjipti (më shumë se 3.4 miliardë), më pas Maroku (mbi 1 miliardë), Tunizia (145 milionë) dhe Algjeria (9 milionë dollarë).

Rëndësia e Mesdheut

Në Mesdhe, sidomos në pjesën lindore, Kina po krijon një prani ekonomike të konsiderueshme. Jo vetëm duke ndërtuar dhe menaxhuar ura dhe infrastruktura të tjera, por edhe duke transportuar dhe dërguar mallrat e saj në bordin e anijeve të fuqishme me kontejnerë.

Mesdheu është një nga “autostradat” detare më të rëndësishme. Dhe në sytë e kinezëve, ai bëhet edhe më shumë i rëndësishëm nëse këtu përfundon pjesa perëndimore e BRI. Ata që kontrollojnë Detin Mesdhe kanë qasje në burimet e naftës të Gjirit Persik, ekonomitë në rritje të shpejtë të Afrikës, fuqinë ushtarake të NATO-s, si dhe motorin ekonomik të Bashkimit Evropian. Kina është tashmë këtu.

You may also like