KIEV – Zelensky vazhdon kritikat ndaj Merkelit për vendimin e NATO-s në 2008

by admin
Spread the love

BERLIN, 4 prill /ATSH-DPA/ Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vazhduar kritikat ndaj ish kancelares gjermane Angela Merkel për bllokimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO në vitin 2008.

Zelensky tha se ish kancelarja Merkel dhe ish presidenti francez Nicolas Sarkozy e kishin lejuar veten të ndikoheshin nga Rusia gjatë një samiti të NATO-s në Bukuresht, 14 vite më parë.

Të dielën, Zelensky i kërkoi Merkelit të vizitonte Bucha për të parë fatkeqësinë me sytë e saj. Merkel u përgjigj përmes një zëdhënësi se ajo u qëndronte vendimeve të saj në lidhje me samitin e NATO-s duke mbështetur përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.

“Unë mendoj se ajo e kuptoi shumë mirë sinjalin tim”, tha Zelensky në Bucha, një periferi e Kievit, ku qindra civilë u gjetën të vrarë pas tërheqjes së trupave ruse.

“Në samitin e mbajtur në Bukuresht, shumë anëtarë të NATO-s e kishin konsideruar Ukrainën si një anëtare të re të mundshme. Unë mendoj se Angela ishte një prej udhëheqësve që ishin kundër”, tha Zelensky. //a.i/

You may also like