KIEV – Zelensky: Takim me delegacionin rus në kufirin bjellorus

by admin
Spread the love

KIEV, 27 shkurt /ATSH-AA/- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky njoftoi se një takim pa parakushte do të mbahet me delegacionin rus në kufirin bjellorus.

Në një deklaratë në median sociale, Zelensky dha informacione lidhur me bisedën e zhvilluar me presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.

“Kemi rënë dakord që delegacioni i Ukrainës të takohet me delegacionin rus në rajonin prane lumit Pripyat në kufirin Ukrainë-Bjellorusi”, deklaroi Zelensky.

Duke theksuar se Lukashenko ka dhënë garanci lidhur me sigurinë e delegacionit ukrainas në Bjellorusi, Zelensky tha: “Lukashenko ka marrë përsipër përgjegjësinë që të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat në territoret e Bjellorusisë të qëndrojnë në tokë gjatë udhëtimit, negociatave dhe kthimit të delegacionit ukrainas”.

Vladimir Medinsky, këshilltari i presidentit të Rusisë, i cili është kryetar i delegacionit rus që do të negociojë me Ukrainën tha se delegacioni ukrainas ka pranuar të negociojë në rajonin Gomel të Bjellorusisë.

Në një deklaratë për gazetarët në Gomel, Medinsky theksoi se afati i Rusisë deri në orën 15:00 për negociata me Ukrainën kishte përfunduar por që në këto minuta ka ardhur një lajmërim nga Ukraina.

Delegacioni i Ukrainës dërgoi një njoftim, tha Medinsky duke shtuar se “Negociatat do të mbahen në rajonin Gomel. Por, aktualisht po përcaktohet destinacioni. Do të zgjidhet një vend i logjikshëm ku do të sigurohet siguria maksimale e palës ukrainase në rajonin Gomel”.

“Pala ruse ka dhënë garanci 100 për qind për sigurinë e kalimit të delegacionit ukrainas në destinacionin në fjalë”, tha Medinsky duke shtuar se Moska është e gatshme të bisedojë me Kievin në çdo orë të ditës për të siguruar paqen. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like