KIEV – Zelensky bën thirrje për furnizime me avionë luftarakë dhe tanke nga Polonia

by admin
Spread the love

MOSKË, 27 mars /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë sërish thirrje Polonisë që të dërgojë avionë luftarakë dhe tanke për të ndihmuar në luftën kundër pushtimit rus.

Në një videokonferencë me homologun e tij polak Andrzej Duda, Zelensky paralajmëroi se nëse forcat e armatosura të Ukrainës nuk do të furnizoheshin me avionë luftarakë dhe tanke, ushtria ruse mund të përbënte një kërcënim për vendet fqinje të NATO-s.

“Nëse partnerët e Ukrainës nuk e ndihmojnë Kievin, atëherë ekziston një rrezik i lartë që ushtria ruse të përbëjë një kërcënim jo vetëm për territoret e fqinjëve tanë, Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë, Rumaninë dhe vendet baltike, por edhe një kërcënim të drejtpërdrejtë të përgjithshëm ushtarak”, tha Zelensky të shtunën në mbrëmje.

“Atëherë kufijtë dhe qytetet e fqinjëve do të kërcënoheshin nga rusët”, theksoi Zelensky.

Plani i Polonisë për të dërguar avionë luftarakë në Ukrainë nëpërmjet një baze amerikane në Gjermani duket se është hedhur poshtë pas kundërshtimeve të SHBA-së, pavarësisht lutjeve të Ukrainës.

Sipas Uashingtonit një vendim i tillë mund të çonte në një konfrontim të drejtpërdrejtë mes forcave të NATO-s dhe ushtrisë ruse.

Ndërkohë, luftimet e ashpra kanë vazhduar në qytetin port të kontestuar të Mariupolit të shtunën, ndërsa forcat ruse kanë sulmuar gjithashtu për herë të pare, qytetin më të madh të Ukrainës perëndimore, Lviv. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like