KIEV – Von der Leyen: Ukraina përmbushi pothuajse të gjitha kërkesat për anëtarësim në BE

by admin
Spread the love

KIEV, 5 nëntor /ATSH-DPA/ – Ukraina ka përmbushur pothuajse plotësisht kërkesat e nevojshme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, tha dje në mbrëmje presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë një vizite në Kiev.

“Tashmë është bërë nje progres shumë më i madh sesa mund të pritej nga një vend në luftë. Më duhet të them se keni bërë përparim të shkëlqyer. Kjo është mbresëlënëse”, tha von der Leyen pas një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenksy.

“Ju jeni duke luftuar një luftë ekzistenciale dhe në të njëjtën kohë, ju po reformoni thellësisht vendin tuaj. Ju keni arritur shumë piketa duke reformuar sistemin tuaj të drejtësisë, duke frenuar kontrollin e oligarkëve, duke luftuar pastrimin e parave dhe shumë më tepër”, tha ajo.

Von der Leyen mbërriti në Ukrainë dje në mëngjes për vizitën e saj të gjashtë që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë rreth 20 muaj më parë.

“Ky është rezultat i punës së palodhur dhe unë e di që ju jeni në procesin e përfundimit të reformave të jashtëzakonshme”, tha von der Leyen.

Ajo tha gjithashtu se Ukraina ka bërë përparim të madh në modernizimin e ekonomisë së saj.

Por, shefi i BE-së vuri në dukje se një luftë edhe më e fortë kundër korrupsionit, ligjet e reja mbi aktivitetet lobuese dhe rregulloret më të rrepta për deklarimin e pasurisë janë masa që janë të domosdoshme.

Të mërkurën, presidenti i Komisionit Evropian pritet të paraqesë raporte mbi përparimin e reformave të Ukrainës.

Krerët e shteteve dhe qeverive evropiane më pas do të marrin një vendim për fillimin e mundshëm të negociatave të anëtarësimit në BE në dhjetor, bazuar në këto raporte.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like