KIEV – Ukraina akuzon Rusinë për rrëmbimin e kreut të centralit bërthamor të Zaporizhias

by admin
Spread the love

KIEV, 1 tetor /ATSH-DPA/ – Autoriteti bërthamor ukrainas akuzoi sot forcat ruse për rrëmbimin e kreut të termocentralit bërthamor të pushtuar të Zaporizhias.

“Drejtori i përgjithshëm i uzinës, Ihor Murashov, u tërhoq zvarrë nga makina e tij dhe u dërgua me sy të lidhur në një vend të panjohur”, tha Petro Kotin, president i kompanisë shtetërore të Ukrainës “Energoatom”.

“Nuk dihet asgjë për fatin e tij”, shkroi Kotin në Telegram. Ai i kërkoi Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të kërkojë lirimin e Murashovit.

IAEA tha se kishte kontaktuar autoritetet ruse dhe kishte kërkuar sqarime.

Kotin tha se Moska po kërcënonte sigurinë e termocentralit më të madh bërthamor në Evropë dhe po terrorizonte stafin e saj ukrainas, të cilët janë nën kontrollin e komandantëve ushtarakë lokalë rusë.

Forcat ruse morën kontrollin e uzinës së Zaporizhias në fillim të marsit.

Që atëherë, granatimet e përsëritura në zonë kanë dëmtuar infrastrukturën e energjisë elektrike dhe kanë goditur ndërtesat në zonën e përhapur./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like