Kërcënimi nga Kina nxit Japoninë të rrisë shpenzimet ushtarake

by admin
Spread the love

Japonia po shënon përvjetorin e sulmeve bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki që vranë më shumë se 200 mijë njerëz dhe i dhanë fund Luftës së Dytë Botërore.

Por, ndonëse kryeministri japonez u zotua të punojë drejt paqes botërore, qeveria e tij po planifikon një rritje të madhe të shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, një temë që ishte bërë tabu pas hunbjes së Japonisë në vitin 1945. Ky ndryshim dramatik është nxitur nga frika e kërcënimit nga Kina.

Nxënësit e shkollave, së bashku me të mbijetuarit e sulmit me bombë atomike në Hiroshima, shënuan të shtunën 77-vjetorin e shpërthimit, që shkatërroi qytetin e tyre dhe vrau rreth 140 mijë njerëz.

Atyre iu bashkuan anëtarë të qeverisë japoneze dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

“Pothuajse 13,000 armë bërthamore janë në arsenalin e një numri vendesh të botës. Krizat, që bartin potencialin e përdorimit të armëve bërthamore, po përhapen me shpejtësi, nga Lindja e Mesme deri në gadishullin Korean, si dhe nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. Është krejtësisht e papranueshme që shtete që kanë armë bërthamore, të flasin për mundësinë e një lufte bërthamore”, tha Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Hiroshima do të jetë mikpritëse vitin e ardhshëm e takimit të grupit G-7.

“Së bashku me udhëheqësit e G-7, përpara monumentit të paqes, ne do të konfirmojmë angazhimin tonë për t’u bashkuar në mbrojtjen e paqes”, tha kryeministri japonez Fumio Kishida.

Kushtetuta e Japonisë, e shkruar pas disfatës së saj në vitin 1945, thotë se “populli japonez heq dorë përgjithmonë nga lufta si një e drejtë sovrane e vendit”. Por kërcënimi i luftës po afrohet më pranë brigjeve të saj.

Stërvitjet e fundit ushtarake të Kinës rreth Tajvanit, të transmetuara në televizionin shtetëror, kanë rritur frikën se Pekini po planifikon një pushtim të ishullit, që e konsideron pjesë të territorit të tij. Japonia thotë se disa raketa kineze ranë në një pjesë të detit, që ajo e ka shpallur zonë ekskluzive ekonomike.

Në Hiroshima, pas ceremonisë mbi përvjetorin e sulmit me bombë atomike, kryeministri japonez tha se qeveria duhet t’i përgjigjet krizave në Tajvan dhe Ukrainë.

“Ne do të forcojmë në mënyrë drastike aftësitë tona mbrojtëse”, tha ai.

Kjo politikë gëzon një mbështetje në rritje të publikut, thotë analisti Tetsuo Kotani.

“Për shkak të sulmit rus në Ukrainë, perceptimi i publikut të gjerë japonez për sigurinë kombëtare ndryshoi në mënyrë dramatike. Populli japonez është shumë i shqetësuar nga veprimet agresive të Kinës. Sondazhet tregojnë se më shumë njerëz po mbështesin tani ndryshimin e kushtetutës dhe rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, madje edhe zhvillimin e aftësive sulmuese të Japonisë”, thotë ai.

Japonia mund të tërhiqet në një konflikt për Tajvanin, thotë analisti Kotani.

“Kjo është e mundur për shkak të afërsisë gjeografike dhe pranisë së trupave amerikane në territorin e Japonisë”, thotë analisti japonez.

Bombardimet në Hiroshima dhe Nagasaki transformuan qëndrimin e Japonisë ndaj luftës dhe fuqisë ushtarake.

Por shtatëdhjetë e shtatë vjet më vonë, vendi duhet të përballet me një realitet të ri: një Kinë të fuqishme, agresive, të gatshme dhe të aftë, të demonstrojë forcën e saj ushtarake pranë brigjeve të Japonisë./VOA


Top Channel

Lexo lajme interesante

You may also like