Kanabisi gjunjëzon Gjermaninë – Shqip

by admin
Spread the love

Pas Maltës në 2021 dhe Luksemburgut vitin e kaluar, Gjermania bëhet sot vendi më i madh i BE-së që legalizon përdorimin e kanabisit për qëllime rekreative, në një reformë që ka ngritur shumë pritshmëri por edhe frikë.

Në mesnatë, kur legjislacioni i ri hyri në fuqi, qindra njerëz festuan duke pirë marijuanë përpara Portës së Brandenburgut në zemër të Berlinit. Tani është e ligjshme mbajtja e deri në 25 gram kanabis për përdorim personal në vende publike. Lejohet gjithashtu të ketë deri në tre bimë kanabis për të rritur në shtëpi dhe të mbash deri në 50 gram kanabis atje për përdorim personal.

Megjithatë, gjermanët do të duhet të presin edhe tre muaj përpara se të jenë në gjendje të blejnë ligjërisht kanabis përmes Klubeve Sociale të Kanabisit. Këto klube do të fillojnë të funksionojnë nga 1 korriku, do të jenë jofitimprurëse dhe do të mund t’u shesin anëtarëve të tyre deri në 25 gramë kanabis në ditë dhe jo më shumë se 50 gramë në muaj.

Këto klube do të mund të rritin bimë kanabisi jashtë, por jo në ndërtesa banimi. Ato do të auditohen të paktën një herë në vit dhe secili mund të ketë anëtarë deri në 500 persona që jetojnë të paktën gjashtë muaj në Gjermani.

Reagimet

Sipas qeverisë gjermane, legjislacioni i ri, i mbështetur fuqishëm nga ambientalistët dhe anëtarët liberalë të koalicionit qeverisës nën socialdemokratin Olaf Scholz, do të ndihmojë në trajtimin e trafikut të paligjshëm të drogës. Duke vlerësuar se politika e ndalimit ka dështuar, ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach shpesh deklaron se vende si Kanadaja, të cilat kanë zbatuar politika të ngjashme, kanë arritur të frenojnë tregun e zi.

Megjithatë, shumë shoqata mjekësore shprehen të shqetësuara se do të ketë rritje të konsumit, sidomos tek të rinjtë. Deri në moshën 25-vjeçare, konsumimi i kanabisit paraqet rrezik në rritje për trurin në zhvillim, sipas ekspertëve, të cilët paralajmërojnë kryesisht rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve mendore, si skizofrenia. Për Katia Seidel, specialiste e parandalimit të varësisë në qendrën Tannenhof në Berlin, legjislacioni i ri është “një fatkeqësi”.

Lauterbach është zotuar se do të miratohen masa për të ndërgjegjësuar të rinjtë për rreziqet e përdorimit të kanabisit, por nuk dha detaje të mëtejshme. Përveç kësaj, autoritetet theksojnë se përdorimi i kanabisit është ende i ndaluar për të miturit, si dhe përdorimi i tij nga të rriturit në një rreze prej 100 metrash rreth disa vendeve publike, si shkolla dhe qendra sportive.

Nga ana e tyre, Kristian Demokratët (CDU) kanë deklaruar se do të anulojnë legjislacionin kur të jenë në pushtet: “Për mendimin tonë, politika e drogës, veçanërisht përsa i përket mbrojtjes së të rinjve, është një çështje e një rëndësie kaq qendrore, saqë ne do të anullojmë legalizimin e kanabisit nëse fitojmë pushtetin”, tha deputeti Torsten Frei për gazetën Augsburger Allgemeine. /tesheshi.com/

You may also like