Kadrije Zejnullahu, biografe e Nënës Tereze që i mbylli gojën Shkupit

by admin
Spread the love

Fundi i dhjetorit, 2021, do ta gjejë gazetaren e Radio-Shkupit Kadrije Zejnullahu në pension. E lindur më 22 mars 1959 në Nerez të Poshtëm të Shkupit, në një familje arsimdashëse dhe punëtore, ajo ka kryer Fakultetin Filologjik-Grupi i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe në Shkup. Një kohë ka punuar në Entin Shtetëror të Statistikës. Pastaj është punësuar në Programin Shqip të Radio-Shkupit, në Servisin publik, ku e ka kaluar tërë shekullin e punës. Si gazetare, i ka punuar të gjitha gjinitë e radiogazetarisë, ndërsa në 15 vitet e fundit ka qenë redaktore. Me shumë sukses e ka udhëhequr emisionin “Familja dhe shëndeti”.

Si rezultat i punës së përditshme, me vëmendje i ka ndjekur të gjitha aktivitetet në lidhje me Nënë Terezen, Gonxhe Bojaxhiun e Shkupit, kështu që ka qenë edhe në Vatikan. Si rezultat i kësaj, në vitin 2008 e ka botuar librin “Nëna ime Nëna Tereze” (botues: “Tringa”, Tetovë), me shënime, intervista dhe dokumente për jetën dhe veprën e nobelistes shqiptare, humanistes së botës, Nënës Tereze. Në libër ka përfshirë biografinë zyrtare të Nënës Tereze, të shpërndarë nga Vatikani. Prej se u botua ky libër, në Shkup sikur pushoi “debati” i shpifur për prejardhjen e Nënës Tereze, që shkonte deri aty sa të mohonte prejardhjen shqiptare të Gonxhe Bojaxhiut, duke tentuar që të dilte ose si vllahe, ose si “skopjanka”, ose thjesht si pa identitet.

Ekzemplarë të këtij libri kanë marrë Biblioteka e Vatikanit, pastaj Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, biblioteka të niveleve të ndryshme në vend dhe jashtë etj.

Si gazetare, Kadrije Zejnullahu ka marrë më shumë shpërblime. Këtu dallon Çmimi Shtetëror për Gazetari i Republikës së Maqedonisë së Veriut etj.

Gazetarja pensioniste është nënë e dy fëmijëve: të një djali dhe të një vajze dhe jeton edhe në Shkup, edhe në Tetovë – në fshatin Xhepçisht. I shoqi i saj, Nazif Zejnullahu, po ashtu është gazetar. Një urim kemi të gjithë: zonja Kadrije ta gëzojë pensionin! Zoti i dhashtë shëndet!

You may also like