Kadriaj: Rritja brenda ditës e çmimit të vajit, ka ardhur nga paniku i qytetarëve

by admin
Spread the love

Një litër vaj të mërkurën në marketet e vendit ka kushtuar 2.49 centë, derisa këtë të enjte çmimi është rritur në 3.49 centë për një litër, e kjo ka ka irrituar pa masë qytetarët.

Për krejt këto rritje të çmimeve që po ndryshojnë çdo ditë, rritje kjo absurde, sipas Mustafë Kadriaj, njohës i ekonomisë, nuk ka logjikë ekonomike.

E në krejt këtë ngjarje një pjesë të ‘fajit’ e ka paniku që po e shkaktojnë qytetarët të cilët me vrap po shkojnë të furnizohen me sasi të madhe të vajit, miellit e sheqerit në markete, derisa kjo po iu shkon ‘për shtati’ bizneseve.

“Rritje brenda ditës e çmimit të produkteve bazike nuk ka logjikë ekonomike por kjo ka ardhur nga një panik i krijuar tek qytetarët, panik e cila po shkon në interes të bizneseve dhe pa marrë parasysh sjelljen jo korrekte të bizneseve vlerësoj që barra bie mbi qeverinë për faktin që ka mandat dhe i ka mekanzimat për të vepruar në kuadër të rrethanave të caktuara”,tha Kadriaj për InLajmi.

Në anën tjetër, Kadriaj e fajësoi edhe kryeministrin e vendit Albin Kurti,që nuk po merret me problemin aktual.

“Kryeministri nuk po merret me problemin aktual por irriton qytetarin duke deklaruar se ka ndarë subvencione për prodhuesit vendor ku ato kultura bujqësore do të jenë të gatshme për treg pas 5 muaj derisa qytetari përballet me rritje të çmimit këto ditë”,tha Kadrijaj për Gazetën InLajmi.

Më e rënda, sipas tij është që kryeministri nuk ndalon me kaq duke u shprehur që kemi rezerva pa dhënë asnjë argument si në sasi ashtu edhe cilësi dhe çfarë lloje të rezervave kemi.

“Kryeministri bënë thirrje qytetarëve që të kthejnë miellin duke rënë ndesh me veten për faktin që kur kemi rezerva pse me i bë thirrje qytetarëve me kthye miellin, pra një deklaratë injoruese për qytetarin, njëherit qesharake për faktin që me çfarë logjike kthehet mielli kur e blen qytetari”,tha ai.

I pyetur se a duhet menjëherë që shteti ta ndalojë këtë dukuri që bizneset po e shfrytëzojnë, Kadriaj dha këtë përgjigje.

“Pra këtu mekanizmi shtetëror duhet të jetë vigjilent që të hulumtojë bizneset që nëse ka vend për ndëshkim të jep ndëshkime kapitale për faktin se derisa Ukraina është në gjendje lufte dhe bënë thirrje për ruajte të çmimit, tek ne nuk ka asnjë indikacion që do të ketë krizë të sigurisë, pra është vetëm një spekulim ekonomik nga ana e bizneseve që duhet të evitohet nga ana e qeverisë”,tha më tej Kadriaj, për InLajmi.

Më tej, Kadriaj tha se qytetarët duhet të kenë durim , gjegjësisht këto 2-3 ditë të mos blejnë vaj e miell, pasi që do të ketë rënie të çmimit.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje tek qytetarët, gjegjësisht ata që kanë blerë më shumë sasi të miellit ta dërgojnë në furra.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme, Kurti ka vizituar një fabrikë të vajit në Gjilan ku ndër të tjera është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve lidhur me ‘fryrjet’ e çmimit të vajit.

“Është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorëve të Kosovës. Nuk ka kurrfarë arsye, nevoje, për një fryrje të tillë. Aktualisht çmimi i vajit në Republikën e Kosovës është më i lartë në botë. Bëhet fjalë për çmime të fryra të bëra nga faktori njeri e jo prej gjendjes objektive në terren. Këto çmime të fryra duhet të ç‘fryhen”,tha ai. Lindita Canolli-Fejzullahu 

You may also like