Juventus, Allegri: Objektivi ynë është Kupa e Italisë, me merkaton nuk merrem unë

by admin
Spread the love

Juventus pret të enjten mbrëma në “Allianz Stadium”, Frosinonen. Një ndeshje kjo e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Italisë, një objektiv i bardhezinjve siç e theksoi në konferencë për shtyp edhe trajneri i torinezëve, Massimiliano Allegri. Ndër të tjera, tekniku livornez që ndaj Frosinones do të regjistrojë ndeshjen e 400 në drejtim të Juventusit, tha se për të është një nder sidomos kur përpara tij janë vetëm dy legjenda si Trapattoni dhe Lippi.

“Chiesa nuk është i grumbulluar për këtë ndeshje, shpresoj ta kem për sfidën e kampionatit ndaj Sassuolos. Nuk e di çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Kean, unë nuk merrem me merkaton, për atë mendojnë drejtuesit. Për momentin Kean është një lojtar i Juventusit, unë jam i lumtur për atë që ka bërë ai deri në këtë momente.
Ndeshja me Frosinonen është nga ato sfidat teke dhe ata luajnë mirë, prodhojnë futboll. Ne duhet të zhvillojmë një ndeshje serioze dhe me mentalitetin e duhur, pasi Kupa e Italisë është një objektiv i sezonit për Juventusin. Te kjo skuadër ka gjithmonë presion sepse i duhet të fitojë.

Kemi nisur një rrugëtim të ri dhe të ndryshëm nga ai i kaluari, ku ekipi fitoj për 10 vite rresht. Tani skuadra ka ndryshuar shumë dhe ka shumë të rinj në përbërje. Të mendojmë fillimisht për Kupën e Italisë dhe të sigurojmë gjysmëfinalen, më pas vëmendja kalon te kampionati.

400 ndeshje në krye të Juventus? Për mua është një arritje që mbart shumë vlera, kam përpara vetëm dy legjenda si Trapattoni dhe Lippi. Për mua është një nder i madh që arrij në këtë kuotë me Juventusin”, u shpreh Allegri./h.ll/abcnews.al

You may also like