Julian Nagelsman “përjashton” Nojerin nga kombëtarja gjermane: Vendim i përbashkët

by admin
Spread the love

Federata Gjermane e Futbollit ka publikuar listën e lojtarëve që do të grumbullohen në testet e muajt nëntor, konkretisht ndaj Turqisë (18 nëntor) dhe kundër Austrisë (21 nëntor). Siç ishte cekur më parë në mediat gjermane, por jo vetëm, Nojer nuk është përfshirë.

Trajneri i “pancerave”, Julian Nagelsman, në prononcimin para mediave ka dhënë edhe shpjegimin se përse e ka lënë në “pit-stop” gardianin 37-vjeçar, ndonëse portieri i Bajernit ka filluar të veshë sërish dorezat në katërkëndëshin e kampionëve të Bundelsigës prej dy javësh dhe ka demonstruar cilësi pozitive, pavarësisht periudhës së gjatë të rehabilitimit.

NAGELSMAN-

”Të gjithë jemi të gëzuar për rikthimin e Manuel Nojerit në fushë. Edhe pse periudha e ‘paslëndimit’ është e freskët, ai ka dhuruar paraqitje për t’u duartrokitur. Kam pasur kontakte me Manuelin dhe kemi rënë dakord se do të jetë pushim. I nevojitet ende kohë për të marrë veten pas asaj sprove të vështirë që pësoi vitin e shkuar.

Përparimi në formën e kapitenit të Bajernit është më se i dukshëm pas çdo ndeshjeje. I bindur se brenda një kohe të shkurtër do të shohim më të mirën prej tij. Shkëmbejmë ide vazhdimisht mes njëri-tjetrit në platformën ‘WhatsApp”, çka do të thotë se kemi lidhje të fortë profesionale”, tha Julian Nagelsman rreth temës së mungesës prej Nojerit në grup.

TESTET E RADHËS-

”Mezi po i pres si ndeshje. I sigurt se duelet me përfaqësuesen turke në Berlin do të sjellin me vete tifozë në masë prej rivalit, kjo për faktin e lidhjes së ngushtë mes dy vendeve. Atmosfera që ata krijojnë mbetet vërtetë speciale, prandaj do të jetë me tepër sesa thjesht një miqësore. Edhe takimi me Austrinë nuk mbetet pas. Dy teste që do të jenë të mbërthyera nga emocionaliteti i lartë. Pres të njëjtën frymë dhe dëshirë nga grupi sikurse në muajin e shkuar.

Procesi i përshtatjes ka për të dhënë indikacionet e duhura te grupi në përmirësimin e kombinimeve mes reparteve dhe aplikimin e skemave të caktuara taktike”, përfundoi Julian Nagelsman, i cili ka kontratë me kampionët e 4- fishtë në rangun e Botërorëve deri në përmbyllje të kompeticionit madhor “Euro 2024”. Zhvillimi i Kampionatit Europian në Gjermani ka rritur dozat e pritshmërive te tifozët, këta të fundit të lodhur me zhgënjimet e njëpasnjëshme.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL

You may also like