“Ju mund ta sillni Rusinë në vete”, Macron takon presidentin kinez në Pekin

by admin
Spread the love

Presidenti francez Emmanuel Macron konsideron se Kina nisur nga marrëdhëniet e ngushta me Rusinë “mund të luajë një rol të rëndësishëm” në përpjekjet për një zgjidhje paqësore në Ukrainë. Plani kinez i paqes i paraqitur në shkurt tregon “vullnetin për t’u angazhuar për një zgjidhje të konfliktit”, tha Macron në fillim të vizitës shtetërore triditore në Pekin. Ky është udhëtimi i parë i Macronit në Kinë që nga viti 2019.

Presidenti francez Emmanuel Macron i ka kërkuar homologut të tij kinez Xi Jinping që të përdorë ndikimin e tij për të ndihmuar në ndalimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Unë e di se mund të mbështetem tek ju për ta sjellë Rusinë në vete,” i tha ai Xi në fillim të bisedimeve në Pekin.

Xi tha se dy vendet e tyre kishin “aftësinë dhe përgjegjësinë” për të mbrojtur paqen botërore.

Udhëheqësi francez ndodhet në një vizitë shtetërore në Kinë, e cila ka refuzuar të dënojë pushtimin rus të Ukrainës.

I shoqëruar nga një delegacion i madh biznesi, Macron po kërkon gjithashtu të forcojë lidhjet tregtare. Atij i bashkohet edhe shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të cilën e ftoi të marrë pjesë në bisedimet me udhëheqjen kineze.

Vizita vjen pas vitesh të përkeqësimit të marrëdhënieve midis Perëndimit dhe Kinës.

Të enjten pasdite, Macron u prit me një paradë ushtarake në Pekin, përpara se të fillonte bisedimet me dyer të mbyllura me Xi.

Të dy pritet të zhvillojnë një diskutim trepalësh me zonjën von der Leyen – e cila është në Pekin me ftesë të Macron – më vonë në mbrëmje ata do të marrin pjesë në një darkë shtetërore.

Në takimet më herët të enjten me zyrtarë të tjerë të lartë kinezë, përfshirë kryeministrin, numrin dy të vendit Li Qiang, Macron dhe zonja von der Leyen kishin bërë thirrje për rritjen e dialogut me Pekinin.

Macron shpreson për porosi në ekonominë franceze

Presidenti francez theksoi në Pekin, se Kina pavarësisht diferencave politike do të mbetet partnere e rëndësishme tregtare. “Ne duhet ta çlirojmë industrinë tonë nga rreziqet, por nuk duhet të distancohemi dhe kufizohemi”, tha Macron, i cili shpreson për porosi të reja për industrinë franceze.

Presidenti në këtë udhëtim shoqërohet nga më shumë se 50 sipërmarrës. Në delegacion janë shefi i Airbus, i Club Med, Ubisoft, LVMH, Michelin, EDF, por edhe shumë përfaqësues të sipërmarrjeve të nivelit të mesëm si dhe drejtori i një kopështi zoologjik francez, në të cilin jetojnë panda gjigande kineze.

Të enjten do të nënshkruhen disa kontrata. Sipas të dhënave zyrtare invetimet franceze në Kinë në vitin 2021 ishin 32 miliardë euro. Më shumë se 2000 sipërmarrje franceze janë aktive në Republikën Popullore.

Pak para nisjes për në Kinë, Macron zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e SHBA-së Joe Biden. Në këtë telefonatë ai ka shprehur “vullnetin e Francës dhe të SHBA-së” për ta detyruar Kinën që “me ne ta përshpejtojë fundin e luftës në Ukrainë dhe të ndërtojë një paqe të qëndrueshme”, mësohet nga qarqet diplomatike franceze. Presidenti shprehu gjithashtu dëshirën, që “të marrë prej kinezëve një kontribut për përpjekjet globale të ruajtjes së solidaritetit veri-jug” dhe me “Kinën të krijojë një agjendë të përbashkët për klimën dhe biodiversitetin”.

You may also like