JOHANESBURG – Mali u bën thirrje trupave franceze që të tërhiqen menjëherë

by admin
Spread the love

JOHANESBURG, 19 shkurt /ATSH-DPA/- Junta ushtarake në pushtet në Mali i ka bërë thirrje Parisit që të tërheqë trupat franceze nga vendi menjëherë, një ditë pasi Franca, partnerët e saj evropianë dhe Kanadaja thanë se do t’i japin fund operacioneve të tyre kundër terrorizmit në Mali deri në qershor.

Qeveria ka marrë parasysh vendimin e njëanshëm të Francës për t’u tërhequr, tha Abdoulaye Maïga, zëdhënësi i qeverisë së përkohshme në Mali.

Ai e cilësoi vendimin si shkelje të marrëveshjeve mes dy vendeve.

“Duke patur parasysh shkeljet e përsëritura të marrëveshjeve të mbrojtjes, qeveria u ka kërkuar autoriteteve franceze tërheqjen e menjëhershme të forcave Barkhane dhe Takuba nën mbikëqyrjen e autoriteteve të Malit”, tha Maïga.

Franca aktualisht ka dislokuar 4,300 ushtarë në rajon për të ndihmuar në luftën kundër terrorizmit si pjesë e Operacionit Barkhane. Misioni i njohur si Operacioni Barkhane është fokusuar në Mali, ku janë stacionuar deri në 2500 ushtarë francezë.

Franca po udhëheq gjithashtu Task Force Takuba, në të cilën disa vende evropiane dhe Kanadaja kanë kontribuar me trupa dhe detyra e së cilës është gjithashtu luftimi i terrorizmit.

Vendimi i së enjtes zbatohet për të dy operacionet e drejtuara nga Franca.

Vendimi i Francës vjen pas zhgënjimeve në rritje midis qeverisë kalimtare të udhëhequr nga ushtria në Mali, e cila erdhi në pushtet me një grusht shteti, dhe ish-fuqisë koloniale të Francës, si dhe vendeve të tjera perëndimore aktive atje. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like