Jepet alarmi në Maqedoni, paralajmërohet luftë e përgjakshme si në 2001, Gjermania i jep “recetën” Shkupit për rrugën drejt anëtarësimit në BE

by admin
Spread the love

Protestat kanë “mbërthyer” prej ditësh Maqedoninë e Veriut. Të organizuar nga VMRO-DPMNE në opozitë, qytetarë të shumtë kanë dalë në rrugë dhe ditën e djeshme, duke bllokuar akse dhe sheshe të ndryshme në mbarë vendin. Përplasjet e forta kanë bërë që të ndërhyjnë edhe ndërkombëtarët, duke ushtruar në një farë mënyre një lloj presioni që Shkupi të pranojë propozimin francez që do të sillte zhbllokimin e vetos bullgare. Pas amerikanëve, në prag të një vendimi nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut për propozimin francez , kancelari gjerman Olaf Scholz i ka dërguar një letër të hapur Shkupit. Ai ka bërë thirrje që të pranohet propozimi francez, pasi do të hapë rrugën drejt anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Nga ana tjetër, qeveria maqedonase ka shkuar edhe më tej. Ajo ka paralajmëruar kaos dhe destabilizim të vendit, pasi sipas saj në protesta ka ndërhyrje nga struktura anti-evropiane. Paralajmërohet edhe përplasje të përgjakshme.

Gjermania-Maqedonisë: Pranoni planin francez

Përmes një letre drejtuar autoriteteve dhe qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, kancelari gjerman, Olaf Scholz bëri thirrje që të pranohet propozimi francez që i hap rrugë nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nisur nga trajtimi jo i ndarë që Unioni i bën Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë, bashkë me Shkupin, nga hapja e bisedimeve do të përfitonte edhe Tirana. Kryeministri Rama është mes zërave që i kërkojnë Maqedonisë së Veriut, të pranojë propozimin e Parisit, që zgjidh mosmarrëveshjet me Bullgarinë për çështje të karakterit historik. “Vendi juaj është përballur edhe një herë me marrjen e një vendimi shumë të rëndësishëm: A doni të pranoni kompromisin europian? Kështu, 17 vjet pas dhënies së statusit kandidat për anëtarësim në BE, më në fund mund të mbahet konferenca për hapjen e negociatave për anëtarësim. Do të jetë një hap i rëndësishëm që do t’ju sjellë më pranë anëtarësimit në BE dhe do të kapërceni ngërçin. Unë e kuptoj padurimin dhe zhgënjimin tuaj. Dhe më shumë se kaq: i ndaj me ju! Ju kuptoj kur thoni: Ishte shumë e gjatë dhe na u premtua shumë. Ajo që kërkohej prej nesh ishte e tepërt. Unë e kuptoj dyshimin tuaj nëse ky hap do të hapë vërtetë rrugën për hyrjen në BE. Dua të jem plotësisht i sinqertë me ju: edhe pas pranimit të këtij kompromisi, procesi i anëtarësimit në BE nuk do të jetë i lehtë. Do të ketë pengesa të tjera që do të duhet të kapërcehen. Por unë ju them gjithashtu: Së bashku do të përmbushim detyrat që na presin Sepse ne duam që ju të jeni anëtar të këtij Bashkimi Europian! Të gjithë e dimë se kompromiset ndonjëherë nënkuptojnë lëshime të dhimbshme. Bashkimi Europian përbëhet nga kompromise, dita-ditës. Por, jam plotësisht i bindur se edhe kompromise të vështira, në fund na çojnë gjithmonë përpara dhe na bëjnë më të fortë. Ne jemi dhe do të mbetemi në anën tuaj!”, thuhej në letër.

LSDM: Struktura antievropiane duan të destabilizojnë vendin

Partia maqedonase në pushtet LSDM, nëpërmjet një njoftimi për media ka akuzuar ditën e djeshme partitë opozitare se duan të destabilizojnë vendin dhe të përsërisin skenarin e 27 prillit. Nga LSDM thonë se “koalicioni antievropian i OBRM-PDUKM-së dhe “E Majta” gënjen dhe përhap gënjeshtra për të ashtuquajturin bullgarizim dhe asimilim, sepse nuk kanë argumente reale kundër anëtarësimit në BE”. “Nuk mund të ketë asimilim dhe bullgarizim me gjuhën maqedonase në BE. Në BE, si maqedonas me gjuhë të pastër maqedonase, nuk është asimilim, kjo është e qartë për të gjithë. Pa argumentim, koalicioni anti-evropian funksionon mbi bazën e përhapjes histerike të gënjeshtrave, por edhe me tentativa për të shkaktuar tensione dhe për të radikalizuar atmosferën. Ditët e fundit janë shënuar protesta të dhunshme, tensione, por edhe tentativë për një skenar të përgjakshëm për të shkaktuar një konflikt etnik, i cili dështoi”, thuhet në njoftimin e LSDM-së. Nga aty shtojnë se e gjithë kjo flet për seriozitetin e strukturave të caktuara antievropiane që duan të destabilizojnë vendin, për të përsëritur 27 prillin apo 2001.

You may also like