Java e krizës për Milanin, barazimi me Napolin i rrezikon stolin Stefano Piolit

by admin
Spread the love



Get it on Google Play

Shtatë ditë më parë Milani ishte i pari në renditjen e Serisë A, duke garuar në grupin e tyre të Ligës së Kampionëve dhe me pothuajse të gjithë skuadrën në dispozicion. Sot, pas një jave makthi, bota kuqezi duket përmbys dhe skuadra del nga triptiku Juve-PSG-Napoli me kocka të thyera. Rezultat e javës së fundit kanë vënë në dilemë vazhdimësinë e Stefano Piolit në pankinën e “djallit”.

Pas përplasjeve publike me lojtarë të ndryshëm që cilësohen si të rëndësishëm brenda grupit dhe mungesës së rezultateve, aftësia për të nxjerrë ekipin nga kriza ka filluar të shihet me dyshim edhe nga drejtuesit. Për momentin pozicioni i 58-vjeçarit nuk preket dhe do të duhet një kthesë në kampionat e gërshetuar me fitore ndaj PSG-së për ta mbajtur Piolin në timonin e Milanit.

  1. QASJA – Përpara përmbysjes napolitane, e cila lë një shije të keqe në gojë, performanca në “Maradona” ishte po aq e mirë sa kishte qenë kundër Juventusit në pjesën e parë deri kur Çaut i jepej kartoni i kuq. Por rezultatet që nuk vijnë ngadalësojnë procesin e rritjes së një ekipi të ri dhe ende në kërkim të vetes.

Dhe krijojnë nervozizëm brenda dhomave të zhveshjes dhe në infermieri, sepse dëmtimet e vazhdueshme janë pikërisht pengesa e parë për maturimin përfundimtar të një ekipi që paguan papërvojën dhe mungesën e cinizmit në fazën goditëse, por ndoshta edhe mungesa e alternativave.

  1. DËMTIMET – Goli që e kthen Napolin në lojë vjen nga një naivitet në mbulim të Pelegrinos, i cili hyri në fushë pas tërheqjes së Kalulusë, “i cili nuk duhej të luante”, siç tha Pioli pas ndeshjes, por që filloi pas nokautit të Kjaerit një ditë më parë. (Çau i skualifikuar).

Në mesfushë me 4- 3-3 të re, mungesa e Benaserit peshon edhe më shumë dhe humbja e Loftus Çikut para ndeshjes kundër Juventusit ishte një goditje e madhe.

Lista mund të vazhdojë (Pulisiç ishte ndër më të mirët në fushë në Napoli, por u zëvendësua në minutën e 45-të për shkak të mbilodhjes muskulare) dhe do të dukej logjike që të mund të flitej për fat të keq, por për të paktën tri sezone tani skuadra e Piolit është shkatërruar vazhdimisht nga lëndime të të gjitha llojeve dhe në planin afatgjatë nuk mund të jetë thjesht një rastësi.

  1. PIOLI – Duke folur për trajnerin, i cili prej ditësh akuzohet për arrogancë nga ata që e kritikojnë për mungesën e prirjes për t’u përshtatur me lojën e kundërshtarëve, në pjesën e parë ai u tregua i zoti dhe i gatshëm për të gjetur kundërmasa ndaj fazës së vendosjes së Napolit, por pastaj ai ndoshta mendoi se e kishte mbyllur shumë shpejt pas një pjese të parë të dominuar.

Përveç zëvendësimit për siguri të Pulisiçit, 10 minuta nga fundi, ishin zëvendësimet që lanë pa fjalë të gjithë, përfshirë Zhirunë dhe Leaon, të cilët e pyetën disa herë Piolin se pse bëri një ndryshim që asnjë tifoz kuqezi nuk do ta kishte parashikuar në atë moment.

  1. TENSION MENDOR – Nervozizmi i dy besnikëve të trajnerit ishte i dukshëm, ashtu si ai i Kalabrias pas ndeshjes në Paris, por edhe elementë të tjerë kyç të skuadrës po e tradhtojnë veten në fushë.

Teo Hernandez është si mish i huaj prej javësh të tëra dhe nuk është faji vetëm i qëndrimit taktik që i kërkon më shumë prezencë si mesfushor ndërkohë që ekipi nuk ka kapitalizuar mundësitë e krijuara.

Në listën e problemeve është edhe Leao që nuk shënon prej më shumë se një muaji, ndërkohë që Menja ka nisur të gabojë siç ndodhi në Napoli. Me të gjithë këta faktorë, sjellja e fitores në shtëpi bëhet vërtet e ndërlikuar.

Nervozizmi, lëndimet dhe lojtarët jo në maksimumin e tyre, por Milani tani duhet të punojë, të gjejë siguri dhe të bashkohet, sepse nëse rruga europiane është pothuajse e komprometuar, kreu i tabelës është vetëm tri pikë larg dhe tani e tutje kalendari do t’i buzëqeshë.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

You may also like