Java e 14-të, statistikat nuk përligjin të gjitha rezultatet!

by admin
Spread the love

Java e 14-të e Kategorisë Superiore prodhoi rezultate deri diku të pritshme.

Fituan tre nga 4 skuadrat kryesuese të kampionatit ndërkohë që u ndal vetëm Vllaznia që barazoi pa gola në Elbasan Arena ndaj Dinamos. Vëmendjen më të madhe e mori sfida mes Kukësit dhe Partizanit, pa harruar Tirana-Teuta, ndërkohë që Skënderbeu fitoi duelin e mbijetesës ndaj Kastriotit. Por çfarë thonë stastikat e publikuara në emisionin Analizë Superiore?

Dinamo-Vllaznia 0-0

Në sfidën mes bluve kryeqytetas dhe kuqebluve barazimi ishte rezultati më i drejtë edhe pse Vllaznia ishte më dominuese në disa aspekte të lojës. Mbajtja e topit ishte e barabartë 50 me 50 ndërkohë që përsa i përket goditjeve brenda dhe jashtë kuadratit, shkodranët ishin superior. Edhe përsa u përket dueleve të fituara dhe pasimeve diferencat janë shumë të vogla, stastika këto që përligjin barazimin 0-0.

Skënderbeu-Kastrioti 2-1

Skënderbeu mori një fitore jetike ndaj Kastriotit në garën për mbijetesë, një sukses deri diku i merituar për korçarët nëse u hedh një sy statistikave, me Skënderbeu që ka dominuar përsa u përket goditjeve në drejtim të portës, ndërkohë që mbajtja e topit ka qenë në baraspeshë. Në disa aspekte të lojës Kastrioti ka qenë më mirë siç janë goditjet nga këndi apo edhe pasimet por në fund krutanët nuk arritën të merrnin pikë.

Egnatia-Laçi 0-2

Laçi i Mirel Josës regjistroi fitoren e 4-t radhazi në transfertën rrogozhinase ndaj Egnatias duke thelluar krizën e këtyre të fundit. Edhe pse dy golat e kurbinasve erdhën në çerek-orëshin e fundit të lojës Laçi ishte dominues në çdo aspekt të lojës me përjashtim vetëm të goditjeve të këndit me Egnatian që mori një më shumë. Kurbinasit e mbajtën topin 64% kundrejt 36% të rrogozhinasve ndërsa e goditën 6-herë portën me Egnatian që u mjaftua me vetëm dy goditje.

Kukësi-Partizani 2-1

Kukësi mori një fitore të madhe me përmbysje ndaj Partizanit në një ndeshje ku verilindorët kishin superioretin e mbajtjes së topit dhe driblimeve por gabuan në shumë aspekte të tjera të lojës me Partizanin që goditi më shumë herë portën, fitoi më shumë duele dhe humbi më pak topa, por në fund ishte Kukësi që festoi me skuadrën e Diego Longos që po rivalizon fort me Tiranën në garën për titull ndërkohë që të kuqtë e Dajës po vazhdojnë një sezon me shumë ulje-ngritje.

Tirana-Teuta 2-1

Tirana arriti të merrte tre pikët e radhës në kampionat duke mposhtur kampionët e Teutës në një ndeshje në të cilën skuadra kryeqytetase u tregua shumë pragmatiste. Teuta e Edi Martinit ishte dominuese në çdo aspekt të lojës por fati nuk u buzëqeshi dhe në fund debutimi i dytë i Edi Martinit nuk ishte fatsjellës për djemtë e detit.


Top Channel

You may also like