Japoni/ Nis derdhja e ujit radioaktiv në Paqësor, frikë për ushqimet e detit

by admin
Spread the love

Operatori i termocentralit bërthamor të shkatërruar nga cunami Fukushima Daiichi ka nisur procesin e zbrazjes së sasisë së parë të ujit radioaktiv të trajtuar dhe hedhjen e tij në Oqeanin Paqësor.

Lëvizja ka ngjallur pakënaqësi të mëdha duke u pasuar nga një rrebesh kritikash drejt Japonisë, e cila është përballur prej kohësh me një grumbullim në rritje të ujit radioaktiv. Operatori Tokyo Electric Poëer Company Holdings transmetoi pamjet e një anëtari të stafit duke ndezur një pompë uji, çka shënoi fillimin e projektit kontrovers që pritet të zgjasë për dekada. Disa grupe në Kinë dhe Korenë e Jugut kanë shprehur shqetësimet e tyre, duke e kthyer këtë proces në një çështje politike dhe diplomatike.

Tokio kishte njoftuar një ditë më parë se operacioni i zbrazjes së ujërave në Paqësor do të fillonte më 24 gusht. Ky njoftim shkaktoi reagim të ashpër nga Kina dhe kufizime të pjesshme të importit të ushqimeve të detit nga Japonia në Hong Kong dhe Makau.

Autoritete në Hong Kong i këshilluan konsumatorët e ushqimeve të detit nga Japonia t`i konsumonin ato vetëm në ditët përpara se të fillonte derdhja në det e ujit radioaktiv. Drejtoria e doganave në Kinën kontinentale njoftoi se ndalimi ekzistues mbi importet e ushqimeve të detit nga Fukushima dhe disa prefektura pranë saj, do te zgjerohet menjëherë duke mbuluar tashmë të gjithë Japoninë me qëllimin të “mbrohet shëndeti i konsumatorëve kinezë”.

Shumë presin që Hong Kongu të ndjekë këtë shembull në ditët në vijim. Kjo do të ishte një goditje shumë e fortë për Japoninë, pasi Kina dhe Hong Kongu përbëjnë gati gjysmën e të gjitha eksporteve të ushqimeve të saj të detit, që arrijnë nivelin e 1.1 miliardë dollarëve në vit.


Top Channel

You may also like