Izraeli sulmon shkollën në Gaza – Shqip

by admin
Spread the love

Një tjetër sulm vdekjeprurës nga ushtria izraelite synoi këtë herë një shkollë në Gaza. Dëshmitarët thanë se në shkollën Al-Fakhoura në Jabalia jetonin mijëra të evakuuar. Të paktën 15 njerëz vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Dëshmitarët shprehen se ishin duke përgatitur mëngjesin, ndërsa raketat goditën shkollën duke shkatërruar çdo gjë.

“Ne ishim ulur këtu të qetë, disa njerëz shkuan në furrë, dy vajza ishin ulur këtu. Por në pak sekonda një raketë goditi shkollën. Vrapova këtu për t’i kontrolluar dy vajzat, njërën e gjeta të vdekur dhe tjetrën të plagosur rëndë. Çfarë faji kishin ato? Ata ishin këtu vetëm për të luajtur me njëri-tjetrin dhe për të kaluar kohën. Njërës prej vajzave e gjithë familja u shua nga në sulmin e spitalit”.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza bëri të ditur se një sulm tjetër raketor izraelit vrau dy gra në derën e spitalit të fëmijëve Nasser dhe disa të tjerë u plagosën, ndërsa bilanci i të vdekurve po i afrohet 10 mijëshit. Ushqimet, uji dhe karburanti i nevojshëm për gjeneratorët që furnizojnë spitalet po mbarojnë. Ndaj Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kërkoi një armëpushim të menjëhershëm për të lejuar kalimin e ndihmave.

“Situata humanitare në Gaza është e tmerrshme. Një popullatë e tërë është e traumatizuar, askund nuk është e sigurt”, tha Guterres në një deklaratë. Ai tha gjithashtu se civilët nuk duhet të përdoren si mburoja dhe i bëri thirrje Hamasit që të lirojë të gjithë pengjet që ka marrë që prej 7 tetorit.

400,000 njerëz janë ende në veri të Gazës. Gjatë javëve të fundit, Izraeli u ka thënë banorëve që të evakuohen nga veriu i Rripit dhe të lëvizin në jug, të cilin e caktoi si një zonë të ashtuquajtur të sigurt. Që atëherë, veriu ka qenë objektiv i bombardimeve të pamëshirshme izraelite nga ajri dhe një ofensivë tokësore megjithëse ka pasur edhe sulme ajrore në jug. Njerëzit e zhvendosur në Rafah në Gazën jugore i kanë bërë thirrje OKB-së dhe organeve të tjera që të ndërmarrin veprime për të përmirësuar kushtet e këqija të jetesës brenda objekteve të mbushura me njerëz që strehojnë familjet që ikin nga lufta.

Ndërkaq Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ndodhet në rajon që nga e premtja duke u përpjekur të gjejë mënyra për të lehtësuar gjendjen e civilëve të kapur në luftime ndërsa po mban takime me ministrat e Jashtëm arabë. Misioni i tij është i ndërlikuar nga këmbëngulja e Izraelit se nuk mund të ketë armëpushim të përkohshëm derisa të lirohen të gjithë pengjet e mbajtura nga Hamasi. Mbreti Abdullah II i Jordanisë ka kërkuar që është detyrë e vendeve arabe që të ushtrojnë presion mbi komunitetin ndërkombëtar për të ndaluar luftën në enklavën e rrethuar.

Klan News

 

 

You may also like