IZRAEL – Gallant njofton hapjen e kalimit të ri në Rripin e Gazës

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 11 prill /ATSH-DPA/- Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant njoftoi dje në mbrëmje hapjen e një kalimi të ri në veri të Rripit të Gazës.

Gallant u tha gazetarëve në Tel Aviv se ky ishte një nga disa hapa që synonin të lehtësonin dërgimin e më shumë furnizimeve në territorin palestinez.

Qëllimi është të dërgohen më shpejt furnizime në Rripin e Gazës nëpërmjet portit të Ashdod dhe të lehtësohen kontrollet e sigurisë. Qasja e re në veri pritet të ulë presionin mbi pikën kufitare ekzistuese Kerem Shalom në jug të Rripit të Gazës.

“Dorëzimi i ndihmave nëpërmjet Jordanisë gjithashtu duhet të rritet”, tha Gallant, duke folur për dy rrugë dhe bashkëpunimin me Forcën Ajrore Jordaneze.

“Bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare duhet gjithashtu të përmirësohet për të shmangur incidentet të ardhmen, të tilla si sulmi vdekjeprurës ndaj punonjësve të ndihmës në Gaza”, tha ai.

Gallant foli edhe për projekte të përbashkëta me SHBA-në për ofrimin e ndihmave nga deti dhe projekte infrastrukturore si tubacionet e ujit.

Izraeli, i cili ka luftuar kundër organizatës militante palestineze Hamas që nga tetori, është kritikuar ashpër ndërkombëtarisht për kufizimin e ndihmave humanitare për popullsinë civile në Rripin e Gazës.

Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, forma më e keqe e krizës së urisë, po afrohet, veçanërisht në Gazën veriore. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like