Iu shkarkuan 7200 Volt në fytyrë, 46-vjeçari gjen shpresë pas transplantit të parë të llojit të tij në botë – Shqip

by admin
Spread the love

Ishte një moment që Meagan James nuk e kishte imagjnuar kurrë.

Një ekip kirurgësh në NYU Langone Health kishte kryer transplantin e parë të plotë të syrit në botë tek një njeri i gjallë: bashkëshorti i saj, Aaron.

Pas një aksidenti në punë që i shkaktoi dëmtimin e syrit dhe një pjese të fytyrës, Aaron iu mundësua një sy tjetër dhe një transplant i pjesshëm i fytyrës.

Kur Meagan pa për herë të parë bashkëshortin në syrin e tij të ri, ajo vuri re ënjtjen pas operacionit dhe ngjyrën kafe. Sytë e Aaron janë blu.

Gjithashtu ajo pa hundën, buzët dhe faqen e tij të re, në të cilën kishte nisur edhe të rritej paksa mjekra. Meagan pa mirënjohje në fytyrën e tij dhe ai ishte momenti emocionues. Ajo ishte e lumtur për bashkëshortin e saj të 20 viteve.

“Ishte një ndjenjë e çmendur, e mrekullueshme, e çuditshme, entuziaste, e lumtur. Isha e lumtur që ai ia doli dhe se gjithçka ishte mirë”, tha ajo.

Në muajin Maj, një ekip prej më shumë se 140 kirurgësh realizuan transplantin e Aaron, i cili zgjati 21 orë. Ndërhyrja përfshinte transplantimin e të gjithë syrit të majtë dhe pjesë të fytyrës nga një dhurues i vetëm. Ishte rasti i parë i këtij lloji në mjekësi.

Sipas ekipit mjekësor, syri i Aaron po tregon shenja “të jashtëzakonshme”. Edhe pse ai nuk mundet të shohë, shpreson se shikimi mund të vijë me kohë dhe se kjo procedurë mund të ndihmojë përparimin e mjekësisë së transplantit.

Pamja e re e Aaron nuk ishte “shok aq i madh” krahasuar me natën e aksidentit, thotë Meagan. Veterani 46-vjeçar nga Arkansasi punonte si elektricist në linjat me voltazh të lartë dhe në Qershor 2021, fytyra e tij preku një tel të zhveshur gjatë punës në Misisipi.

Shkarkesa elektrike prej 7200 Voltësh i shkaktoi dëme të pallogaritshme fytyrës së tij: syrit të majtë, hundës, buzëve, faqes së majtë, mjekrës dhe krahut të majtë.

Meagan u njoftua për aksidentin dhe menjëherë bëri gati çantën për të udhëtuar 4 orë e gjysmë me makinë drejt Misisipit. Gjatë rrugës, një mjek e telefonoi për t’i shpjeguar gjendjen e burrit të saj dhe i tha se e kishte zënë korrenti.

“A është mirë? Do të bëhet mirë?”, e pyeti ajo. “E vetmja gjë që mund të të pretmtoj është se ai nuk do të vdesë përpara se ti të vish këtu”, iu përgjigj mjeku.

Ajo i qëndroi pranë bashkëshortit teksa ai transferohej në qendra të ndryshme mjekësore nën kujdesin intensiv, për ndërhyrje rikonstruktive si dhe për amputimin e krahut të majtë. Pasi u dërgua në Dallas për t’u trajtuar për djegiet, Aaron u vizitua nga vajza e tij, Allie.

“Kur e pashë, kocka e mjekrës ishte ekspozuar. Mund të shihja zgavrën e syrit. Po shihja kafkën e tij dhe mendoj se kjo ishte disi e frikshme”, kujton ajo.

Aaron thotë se nuk e mban mend aksidentin. “Shkova në punë dhe u zgjova 6 javë më vonë në Dallas, Teksas. Është ndjesi e çuditshme kur zgjohesh krejt papritur në një spital”.

Ekipi mjekësor i kishte përmendur Meagan mundësinë e një transplanti fytyre. Kur ajo ia tha Aaron, ai ishte i gatshëm për ta kryer.

Në Nju Jork, dr. Eduardo Rodriguez i cili kishte kryer 4 transplante fytyre më parë u njoh e rastin e Aaron dhe tha se ishte “mbresëlënëse” që ai kishte mbijetuar. Mjekët në Teksas ishin detyruar t’ia hiqnin syrin e majtë për shkak të dhimbjs së padurueshme. Rodriguez iu kërkoi që të ruanin sa më shumë nga nervi optik në rastin e një transplanti të mundshëm të syrit.

Mjeku i shpjegoi se mundësia për të kryer transplantin e plotë të syrit nuk do i rikthente shikimin. Që ky i fundit të vendosej, do të duhej të ndërlidhej truri me syrin e transplantuar megjithatë Aaron ishte entuziast që të paktën të dukej normal.

Aaron u regjistrua si marrës potencial në Shkurt 2023 dhe mundësia e transplantit erdhi në Maj. Ishte një operacion me rrezik për Rodriguez dhe kolegët e tij. Asnjë ekip mjekësor në botë nuk kishte realizuar më parë një transplant të suksesshëm syri te një pacient i gjallë.

Ndërhyrja u zhvillua në dy dhoma kirurgjikale. Aaron ndodhej në një prej tyre dhe kirurgët hiqnin pjesë të fytyrës së tij që do të zëvendësoheshin nga indet e dhuruesit. Rodriguez ndodhej në dhomën tjetër duke marrë pjesët e fytyrës së dhuruesit dhe syrin. “Kjo pjesë e operacionit zgjati 12 orë”, tha ai.

Kur ndërhyrja përfundoi dhe Aaron pa për herë të parë në pasqyrë fytyrën e tij të re, ai ishte i entuziazmuar. Ai vijon të vëzhgohet me kujdes dhe të marrë mjekimet për të ulur rrezikun e refuzimit të transplantit nga organizmi i tij.

Vetë procedura shënon një hap gjigand në mjekësinë e transplantit. Nëse me kalimin e kohës, syri i Aaron do të fitojë funksionin e nervave apo sinjaleve vizuale,  kjo mund të jetë shpresë për pacientët që kanë humbur syrin nga trauma të ndryshme apo kanceri./tvklan.al

You may also like