Italia pezullon dërgimin e armatimeve në Ukrainë – ‘Il Messaggero’ (fotot)

by admin
Spread the love

“Mbetet mbështetja për Kievin” por qeveria e re në Romë është e shqetësuar për mbrojtjen e vendit të saj, thuhej sot në një raport.

E përditshmja vendase ‘Il Messaggero’ raportonte sot se qeveria italiane nuk po merr në konsideratë paketa të reja armatimesh për Ukrainën që është në konflikt me Rusinë.

Megjithse kryeministrja Giorgia Meloni është zotuar të respektojë kërkesat e Kievit për asistencë ushtarake dhe ‘sisteme të mbrojtjes ajrore’, burimet e rrjetit vendas thonin se dërgesat e armatimeve për Ukrainën aktualisht janë pezulluar.

“Kjo vetëm sepse është e nevojshme të koordinohemi me NATO për të detajuar kërkesat ushtarake të Ukrainës. Vetëm atëherë do të kuptojmë nevojat e Kievit dhe çfarë armatimesh do të mund të furnizojmë,” kishin thënë burimet qeveritare për Il Messaggero.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg pritet të vizitojë Italinë ditet në vijim për t’u takuar me kryeministren e re Meloni dhe ministrin e mbrojtjes Giulio Crosetto.

Kievi ka kërkuar nga Italia sistemet e kushtueshme të mbrojtjes ajrore SAMP-T për të cilat ministria e mbrojtjes ka thënë se ka pak edhe për vendin e tyre, dhe nëse do t’i dërgonin në Kiev do të rrezikoheshin kapacitet vendase të mbrojtjes.

Il Messaggero shkruante se kjo mund të bëjë që Roma të dërgojë të tjera tipe armatimesh për Ukrainën.

Por megjithë vonesat e përkohshme në aprovimin e dërgesave, qeveria e re italiane thotë se mbështetja për Kievin “nuk është në dyshim”.

Meloni tha në parlament javës që shkoi se e vetmja rrugë për të lehtësuar paqen mes Rusisë e Ukrainës, është “ndihma ndaj Kievit për t’u mbrojtur ushtarakisht”.

Rusia ka paralajmëruar se dërgesat perëndimore të armatimeve në Ukrainë shërbejnë vetëm për zgjatjen e konfliktit dhe gjakderdhjes.