ITALI – Gjykata jep vendimin për mbi 300 anëtarë të dyshuar të “Ndrangheta”-s

by admin
Spread the love

ROMË, 20 nëntor /ATSH-DPA/ – Vendimet në gjyqin më të madh të mafias në Itali në dekada, do të jepen sot për më shumë se 300 anëtarë ose mbështetës të dyshuar të organizatës kriminale “Ndrangheta” në qytetin jugor të Lamezia Termes.

Zyra e prokurorit publik ka kërkuar dënime me burg deri në 30 vjet, me një dënim total prej 4 744 vjetësh.

Me gjyqin e nisur tre vjet më parë, shteti italian ka kërkuar të tregojë se nuk do të tolerojë aktivitetet e organizatave të ndryshme mafioze.

“Ndrangheta”, me qendër në Kalabri, është grupi kriminal më i fuqishëm në vend me lidhje në të gjithë botën.

“Tregtia e kokainës në Evropë kontrollohet kryesisht nga ky grup”, thanë ekspertët.

Të ardhurat globale të grupit vlerësohet të arrijnë mbi 50 miliardë euro (54,5 miliardë dollarë) në vit.

Duke pasur parasysh shkallën e gjyqit, një “call center” në Lamezia Terme u shndërrua posaçërisht në një mjedis të sigurisë së lartë me një sallë të madhe gjyqi.

Gjyqi u bazua në deklaratat e më shumë se 50 dëshmitarëve kryesorë që kanë hequr dorë nga ‘Ndrangheta’.

Grupi përbëhet nga rreth 150 familje.

Në vitet 1980, më shumë se 400 anëtarë të grupit mafioz “Cosa Nostra” dolën në gjyq në Siçili./  /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like