ITALI – Blinken: SHBA nuk mund të mbështesë një operacion të madh ushtarak në Rafah

by admin
Spread the love

KAPRI, 20 prill /ATSH-AA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përsëriti qëndrimin e SHBA-së për ofensivën e planifikuar ushtarake të Izraelit në Rafah duke thënë se ata nuk mund të mbështesin një operacion të madh në qytetin jugor të Rripit të Gazës.

“Ne kemi qenë shumë të qartë për këtë, presidenti Biden ka qenë shumë i qartë për këtë. Ne nuk mund të mbështesim një operacion të madh ushtarak në Rafah”, tha Blinken gjatë një konference për shtyp pas takimit të G7-s në Itali.

Ai tha se ofensiva e madhe ushtarake do të kishte pasoja të tmerrshme për popullatën e zhvendosur në Rafah.

Izraeli thotë se do të pushtojë qytetin Rafah, ku 1,4 milionë njerëz janë strehuar nga lufta që filloi pas inkursionit ndërkufitar të Hamasit të 7 tetorit, pavarësisht protestave ndërkombëtare.

I pyetur për sulmin e raportuar të Izraelit ndaj Iranit, Blinken tha se “unë nuk do të flas për këtë, përveçse të them se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë të përfshira në asnjë operacion sulmues”.

Sipas raportimeve, Izraeli kreu dje në mëngjes një sulm në Iran.

Teherani tha se nuk kishte dëme dhe se rrëzoi tre dronë mbi Isfahan.

Tensionet u përshkallëzuan pas sulmit hakmarrës të Iranit ndaj Izraelit pas një sulmi kundër kompleksit të tij diplomatik në Siri./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like