Ish-rojtari i kampit nazist të përqendrimit dënohet në moshën 98-vjeçare

by admin
Spread the love

Prokurorët gjermanë kanë akuzuar një 98-vjeçar për bashkëpunim në vrasjen e 3300 personave në një nga kampet naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Personi, emri i të cilit nuk dihet, ishte adoleshent kur shërbente si roje në Sachsenhausen në periudhën Korrik 1943-Shkurt 1945. Ai akuzohet se ka ndihmuar në vrasje “mizore dhe torturuese” të të burgosurve.

Çështja do të shqyrtohet nga një gjykatë për të rinj duke qenë se i pandehuri ishte adoleshent në kohën e kryerjes së krimeve. Tani ai jeton në Main-Kinzig, një vend rural në Gjermaninë qendrore.

Prej vitit 2011, Gjermania ka ndjekur edhe çështjet e ish-nazistëve që kanë bashkëpunuar në vrasje e tortura dhe jo vetëm të personave që i kanë kryer këto vepra.

Por kjo është një garë kundër kohës sepse pjesa më e madhe e të akuzuarve janë shumë të vjetër ose kanë vdekur përpara se të dilnin në gjyq.

Nazistët burgosën më shumë se 200.000 njerëz në Sachsenhausen përfshirë të burgosur politikë, hebrenj, ushtarë sovjetikë të rënë robër, romë dhe ciganë. Me mijëra vdiqën nga uria, puna e detyruar, eksperimentet mjekësore dhe vrasjet nga nazistët. Kampi u ndërtua në veri të Berlinit më 1936.

Vitin e shkuar, 101-vjeçari Josef Schütz u shpall fajtor për bashkëpunim në vrasjet në masë në kampin Sachsenhausen. Ai u dënua me 5 vjet burg, por ndërroi jetë në Prill të këtij viti, i lirë dhe në pritje të përgjigjes së Apelit./tvklan.al

You may also like