Ish-presidenti Alfred Moisiu: Berisha nuk do të rikthehet, shqiptarët nuk do ta lejojnë

by admin
Spread the love

Ish-presidenti Alfred Moisiu në intervistën e dhënë për gazetarin Dritan Hila, në Shqip në Dritare TV tha se Berisha nuk do rikthehet dhe se shqiptarët nuk do ta lejojnë. Ja çfarë thotë ai për Berishën në politikë.

“Është folur shumë për rikthimin e Berishës. Kam pasur konsiderata për Berishën, por duhet të gjykojmë aktualitetin. Kujt i shërben tani rikthimi i Berishës, kjo që ai po bën? Ai këtë e bën për veten e tij, vetëm për të mbrojtur veten.

Thonë që nuk ka fakte për këtë, por nuk është e vërtetë. Ka sa të duash. Mos të shkojmë shumë larg, por le të fokusohemi te ekonomia. Zbatimi i terapisë së shokut te ne, është vrastare, ide shkatërruese. Po ju jap një krahasim me Poloninë. 7 vjet më parë kam qenë atje. Ata thanë që ne filluam me terapinë e shokut, por 5 % e zbatuan dhe hoqëm dorë menjëherë. Sot Polonia është një nga vendet më të zhvilluara, jo vetëm në lindje por edhe në Evropë.

Unë kam qenë në Kavajë nga viti 1966 deri në 1971 komandant brigade. E njoh mirë atë zonë, jo vetëm sepse jam me origjinë nga Kavaja. Por edhe sepse kam punuar. Kavaja kishte 12 mijë punëtorë. Për 24 orë ata u zhdukën, mbetën pa punë. Kishte fabrika, ndërmarrja e prodhimit të qilimave që kishte 2400 gra dhe vajza që punonin aty. U privatizua thanë, por si? Dikush mori një dhomë, një tjetër mori një copë korridor. Por ajo që një grabitje, jo privatizim. Bandidizëm. Ishte prodhim që eksportohej. Pse duhej bërë kjo punë?

Ne të gjitha i shkatërruam. Pa studim, pa asgjë. Përgjegjësinë për këtë kush e ka? Ti apo unë? Epo, asnjëri prej nesh. Le të ndalemi pak edhe te korrupsioni. Shkollën fillore të korrupsionit e krijoi Berisha. Shkollën e mesme e bëri Nano, të lartën Berisha sërish. Si mund të thuash që je i pastër? Më kujtohen thirrjet e para “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ku është tani Shqipëria si gjithë Europa? Kemi 30 vjet që përpiqemi. Ne do të ishim pjesë e NATO-s dhe BE-së me kohë, nëse nuk do të kishte ndodhur ’97. Kush përgjigjet për ’97?

Dikush duhet ta bëjë. Rikthimi i Berishës për ne do të jetë një fatkeqësi, por kjo nuk ka për të ndodhur, pavarësisht përpjekjeve. Jo vetëm se do ta pengojnë të huajt. Janë shqiptarët që nuk do ta lejojnë. Ata nuk janë budallenj. Gjërat kanë ndryshuar, nuk janë njësoj si në ‘90. Edhe Berisha dikur ka qenë i ri, sot është baba, gjysh”, u shpreh Moisiu

You may also like