IRAN – Të paktën 522 të vdekur në protestat kundër sistemit islamik

by admin
Spread the love

BERLIN, 15 janar /ATSH-DPA/ – Të paktën 522 persona janë vrarë në katër muajt e protestave antiqeveritare në Iran, sipas një raporti të Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me qendër në SHBA (HRANA).

“Midis të vdekurve ishin 70 të mitur dhe 68 forca policie dhe sigurie”, njoftoi sot agjencia.

“Gati 20 000 persona u arrestuan, 110 prej tyre me akuza që mund të çonin në një dënim me vdekje sipas ligjeve islame. Katër protestues tashmë janë ekzekutuar”, tha HRANA.

Protestat janë zhvilluar në më shumë se 160 qytete të vendit që nga fillimi i tyre, në mes të shtatorit, duke përfshirë mijëra persona që kundërshtojnë sistemin islamik të sundimit.

Vetë Irani, deri më tani, nuk ka dhënë asnjë detaj për vdekjet dhe arrestimet gjatë trazirave dhe as nuk i ka konfirmuar e as mohuar raportet e HRANA-s.

Protestat në Iran u shkaktuan nga vdekja e Mahsa Amini, një gruaje kurde iraniane 22-vjeçare. Ajo u arrestua nga policia e moralit pasi dyshohej se nuk kishte respektuar kodet islame të veshjes.

Ajo vdiq në paraburgim më 16 shtator.//a.i/

You may also like