IRAN – 24 demonstrues përballen me dënim me vdekje për protesta

by admin
Spread the love

TEHERAN, 10 dhjetor /ATSH-DPA/ – Të paktën 24 demonstrues iranianë përballen me dënim me vdekje pasi iu bashkuan protestave kritike ndaj autoriteteve, sipas një raporti të botuar sot.

”Etemad”, një gazetë e përditshme iraniane e lajmeve, publikoi një listë të përpiluar nga autoritetet gjyqësore duke akuzuar 25 demonstrues për “luftë kundër Zotit”, një akuzë që mbart dënimin me vdekje sipas ligjit islamik.

Muzikanti i repit, Mohsen Shekari, i cili gjithashtu ishte në listë, u ekzekutua të enjten, i akuzuar për sulmin me armë ndaj një roje sigurie, nxitje të terrorit dhe bllokimin e një rruge.

Autoritetet gjyqësore njoftuan se do të ndodhin ekzekutime të tjera.

Megjithatë, në raport, ”Etemad” i bëri thirrje gjyqësorit që të rishikojë dënimet me vdekje dhe të shmangë ekzekutimet e mëtejshme.

Ekzekutimi i Shekarit provokoi dënime të fuqishme brenda dhe jashtë vendit.

Megjithatë, udhëheqësit politikë iranianë, përfshirë presidentin Ebrahim Raisi, e përshkruan ekzekutimin si një përgjigje legjitime ndaj trazirave mbarëkombëtare.

Ndërkohë iranianët jashtë vendit planifikojnë të mbajnë një seri mitingjesh proteste gjatë fundjavës.

Protestat u shkaktuan nga vdekja e një gruaje kurde iraniane, Mahsa Amini, më 16 shtator. Ajo vdiq në paraburgimin e policisë pasi u arrestua për shkelje të kodeve islame të veshjes.

Krahas sanksioneve ndërkombëtare në lidhje me mosmarrëveshjen bërthamore, Teherani është gjithashtu subjekt i sanksioneve për shkeljet e të drejtave të njeriut./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like