Inzaghi: Është e vështirë, por do të tentojmë përmbysjen në “Anfield”

by admin
Spread the love

Një pjesë e vogël e tifozerisë zikaltër kërkon që në “Anfield” Interi të shkojë për “turizëm”, sepse rëndësi ka kampionati dhe është e kotë që të harxhohen energji.

Por pjesa më e madhe e mbështetësve zikaltër, jo vetëm ata 2500 që nesër do të jenë në Liverpool, duan që Interi të tentojë kualifikimin, po ashtu edhe ata që drejtojnë skuadrën.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, kundër një prej skuadrave më të mëdha të Europës, por ne do të tentojmë fitoren dhe jemi shumë të motivuar. Të gjithë lojtarët janë mirë dhe janë grumbulluar për këtë takim”, ka thënë në konferencën për shtyp Simone Inzaghi.

“Në ndeshjen e vajtjes na penalizoi rezultati. Bëmë një ndeshje të madhe dhe nuk meritonim atë rezultat me paraqitjen që bënë në fushë. Rezultati na penalizon, duhet të shënojmë një gol në pjesën e parë.

E dimë që do të jetë shumë e vështirë, por kemi patur 3 ditë kohë për tu përgatitur. Djemtë janë gati dhe e kuptojnë rëndësinë e kësaj sfide. Luajmë kundër skuadrës më të mirë të Europës (bashkë me City dhe Bayern), në një stadium mitik, përpara një tifozerie të nxehtë, që do ta bëjë akoma më të vështirë objektivin tonë.

Të tilla sfida i rrisin të gjithë, janë ndeshje unike si për trajnerët edhe lojtarët. Përveç Barellas së skualifikuar dhe Kolarov që nuk është në listë të gjithë lojtarët do të nisen për në Liverpul.

Prania e Zhang? Ka kohë që është këtu dhe na gëzon prezenca e tij dhe e gjithë drejtuesve të tjerë të klubit. Është diçka e rëndësishme si për mua edhe për djemtë”, ka thënë Inzaghi. / Oversport.tv

You may also like