Inspektorati i Punës e vlerëson joligjor shkarkimin e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së (DOKUMENT)

by admin
Spread the love

Inspektorati i Punës në Ministrinë e Financave e ka vlerësuar joligjor vendimin e bordit të ri të RTK-së, që u formua së voni, për shkarkimin e ish-drejtorit të përgjithshëm, Ngadhnjim Kastrati, duke e cilësuar si të bazuar ankesën e këtij të fundit.

Në vendimin e këtij inspektorati, të cilin e ka siguruar Klankosova.tv, thuhet se kontrata është ndërprerë pa njoftim paraprak nga punëdhënësi në kundërshtim me kontratën e nënshkruar mes dy palëve, e bazuar në Ligjin e Punës dhe atë për RTK-në, ku thuhet se kontrata mund të shkëputet 60 ditë kalendarike pas paralajmërimit me shkrim nga bordi i RTK-së dhe kjo bëhet për shkak të shkeljeve dhe të obligimeve të marra me këtë kontratë për shkaqet e parapara në Ligjin për RTK-në.

Inspektorati po ashtu ka thënë se ligji për televizionin publik nuk specifikon procedurat e shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm.

“Po ashtu, pala në procedurë Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës pretendon se Drejtori i Përgjithshëm vetëm është shkarkuar nga pozita, dhe nuk i është ndërprerë marrëdhënia e punës me RTK-në”, thuhet në arsyetim.

Inspektorati i Punës ka sqaruar se me rastin e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së përzgjedhja i nënshtrohet procedurave të dispozitave ligjore në fuqi, ashtu që edhe procedura e shkarkimit duhet t’iu nënshtrohet procedurave të dispozitave ligjore në fuqi.

Klankosova.tv kontaktoi me Ngadhnjim Kastratin i cili tha se dje e ka pranuar vendimin, derisa përmend tri pikat kryesore ku është bazuar Inspektorati i Punës për ta vlerësuar ankesën e tij si të bazuar.

“Inspektorati e ka vlerësuar se vendimi për shkarkim ka qenë i jashtëligjshëm, dhe atë duke u bazuar në tri pika. Pika e parë është se bordi nuk e ka respektuar kohën e njoftimit, sepse sipas Nenit 8 të kontratës sime, nen i cili flet për shkarkim, thuhet se njoftimi për shkarkim duhet të jepet 60 ditë më herët. Pika e dytë është se bordi nuk ka bërë ndonjë vlerësim të punës sime, në mënyrë që të jepet ndonjë vërejtje apo diçka tjetër dhe pika e tretë është se nuk më kanë ftuar në mbledhjen e bordit, pavarësisht se unë jam anëtar i bordit pa të drejte vote, por tek kjo pikë nuk është obligative, mirëpo Ligji i RTK-së e thotë se Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së merr pjesë në mbledhjet e bordit”.

“Por, edhe një gjë tjetër është se vendimi për shkarkim është marrë ‘ad hoc’, pra nuk ka qenë pikë e rendit të ditës për mbledhjen e datës 19 janar”, tha Kastrati.

You may also like