India lëshon në të egër gepardët afrikanë të ardhur për mbarështrim nga Namibia (fotot)

by admin
Spread the love

Gepardët duket se do të bredhin sërish në pyjet e Indisë që prej zhdukjes së tyre zyrtare në vitin 1952.

Një grup prej tetë felinësh ka mbërritur sot në Indi me avion nga Namibia me rastin e ditëlindjes së kryeministrit Narendra Modi ashtu si dhe për programin e riprezantimit të species në Indi pas zhdukjes së kafshës elegante disa dekada më parë.

Tetë gepardët afrikanë do të mbahen nën mbikqyrje për disa ditë para se të lëshohen në një park kombëtar të Indisë.

Më parë këto kafshët ndanin pyjet indiane me tigrat e luanët por ishin zhdukur rreth 70 vjet më parë.

Kafsha më e shpejtë e botës që mund të arrijë shpejtësi vrapimi prej 112 km në orë po zhvendoset për herë të parë nga një kontinent në tjetrin për t’u lëshuar në botën e egër.

20 gepardë të tjere do të vijnë në Indi nga Afrika e Jugut dhe nga Namibia, teksa kjo e fundit është shtëpia e një të tretës së gepardëve të planetit, me rreth 7,000.

Tufa e parë prej pesë meshkujsh e tre femrash. me moshë nga dy deri në gjashtë vjeç, erdhën me avion sot nga Windhoek në Namibi, drejt qytetit indian Gwalior.

Kafshët shoqëroheshin nga ekspertë veterinerë e biologë, teksa fluturonin në një avion të posaçëm, të modifikuar Boeing 747.

Më pas gepardët u transferuan me helikopter drejt parkut kombëtar Kuno në rajonin Madhya Pradesh, dhe u lëshuan në një ceremoni me prezencë të zyrtarëve të lartë.

Parku Kuno me rreth 300 milje katrorë hapësirë është i mbushur me antilopa e derra të egër me të cilët mund të ushqehen felinët e egër.

Ekspertët thonë se gepardët u zhdukën në Indi prej një kombinimi faktorësh si gjuetia, humbja e habitatit dhe mungesa e ushqimit.

Suksesi i misionit nuk është i sigurtë teksa gepardët janë kafshë delikate që shmangin konfliktin dhe mund të sulmohen nga predatorë të tjerë më të mëdhenj si leopardët.

Por mbrojtësit e iniciativës thonë se ato janë gjithashtu kafshë të adaptueshme dhe se habitati i ri është studiuar për t’i mbrojtur nga rreziqet e mundshme.

Gepardët u shfaqën në Indi gjatë sundimit të perandorit Jahangir.

Babi i tij, Akbar kishte llogaritur se vendi kishte rreth 10,000 gepardë në gjendje të egër. Ai sundoi nga viti 1556 deri në 1605 por deri në shekullin e 19-të numri i tyre kishte rënë nën 200.