Inaugurohet fusha e Orikumit, Duka: Investim i rëndësishëm, duhen më shumë fusha

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Për qytetin e Orikumit sot ka qenë një ditë e veçantë feste, teksa skuadra e KF Orikut nga sot e tutje do të ketë rikthehet të luajë në stadiumin e vet që tashmë ka një fushë të re dhe moderne, falë investimit të rëndësishëm të Federatës Shqiptare të Futbollit në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë. Një ndërhyrje që i ka ndryshuar totalisht imazhin stadiumit të Orikumit dhe që ofron kushte shumë të mira për këtë skuadër, por edhe për ekipet e moshave dhe fëmijët e angazhuar në futboll. Në ceremoninë e inaugurimit të fushës të zhvilluar sot morën pjesën Presidenti i FSHF-së, Armad Duka, Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli, presidenti i FK Orikut, Muharrem Lazaj, kryetari i Njësisë Administrative Orikum, Selim Haskoçelaj, shumë fëmijë futbollistë e prindër.

Përveç inaugurimit të fushës së re, gjatë këtij aktiviteti u shpërndanë edhe baza materiale për ekipet e moshave të kësaj njësie administrative në kuadër të projektit madhor të FSHF-së “Uniforma Ime” që po jep një impakt shumë të madh në zhvillimin e futbollit të moshave.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Vlorës dhe i cilësoi jetike për futbollin investimet në infrastrukturë, ashtu siç është edhe projekti Uniforma Ime.

“Sot jemi në këtë ceremoni për të inauguruar këtë fushë të re me një bashkëpunim shumë të mirë të FSHF me Bashkinë Vlorë. Dua ta falënderoj Kryetari i Bashkisë, Dritan Leli, sepse në këtë bashkëpunim ka qenë shumë i gatshëm, mbështetës dhe bashkëpunues për ta bërë realitet këtë investim të rëndësishëm për futbollin. Padyshim që komponentët kryesorë të lojës së futbollit janë infrastruktura, trajnerët e stafet teknike si edhe baza materiale. Pikërisht ne jemi sot këtu për dy nga këto komponentë, pasi unë mendoj se ne i kemi trajnerët apo mësuesit e mirë, të përgatitur nga shkolla e FSHF-së me licenca europiane, të cilët mund të trajnojnë jo vetëm në Shqipëri, por kudo nëpër botë me të njëjtën licencë. Por ato që ne nuk kishim, ishin uniformat. Në fakt është një mbështetje e madhe për familjet shqiptare në aspektin ekonomik, por më shumë është një mesazh bashkëpunim i FSHF-së me ju, me familjet shqiptare dhe me të gjithë prindërit që të sjellin sa më shumë fëmijë në futboll”, – tha Presidenti Duka, duke renditur edhe projektet e tjera të FSHF-së dhe duke kërkuar mbështetjen e qeverisë dhe pushtetit lokal për ndërtimin e fushave të reja.

“Të sjellin sa më shumë fëmijë për t’i edukuar përmes futbollit. Jo të gjithë do të bëhen futbollistë profesionistë, por do të rriten të shëndetshëm. Futbolli nuk është vetëm lojë, por është edukim fizik, është edukim edhe i përmasave të tjerave, pasi nëpërmjet futbollit fëmijët mësojnë shumë gjëra. Ne për të afruar sa më shumë fëmijë me futbollin, ne pesë vjet më parë kemi nisur projektin Topi Yt, që është një mjet thelbësor për të luajtur futboll dhe pas të cilit vrapon e gjithë bota. Dhe pastaj kemi nisur nga ky sezon e në vazhdim me uniforma për të gjithë fëmijët, djem dhe vajza që luajnë futboll në Shqipëri, por ajo që kemi mungesë kryesor është infrastruktura. Sot kemi përfunduar këtë fushë të rindërtuar nga e para me mbështetjen financiare të FSHF-së dhe të Bashkisë Vlorë, por kemi akoma shumë deficite. Na duhen shumë më shumë fusha dhe gjej rasti t’i kërkoj qeverive lokale mbështetje më të madhe për të bërë më shumë fusha të reja për t’u stërvitur fëmijët. Nëse nuk kemi më shumë fusha, nuk mund të pretendojmë për më shumë fëmijë që i bashkohen futbollit”, – tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në fjalën e tij.

Ndërsa, Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli falënderoi mbështetjen financiare të FSHF-së dhe të Presidentit Duka për të realizuar këtë fushë moderne, që do të sjellë një zhvillim më të madh të futbollit në këtë zonë dhe një kurorëzim i përpjekjeve të gjata për të pasur një fushë dinjitoze.

“Falënderoj Presidentin e FSHF që është këtu sot për të kurorëzuar një përpjekje të përbashkët që ka nisur që kur unë u bëra Kryetar Bashkie dhe nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen dhe financimin e rëndësishëm të FSHF-së që të arrinim të kishim një rezultat si ky. Pikërisht ky rezultat, kjo fushë e standardeve të larta ajo që na bën më tepër pozitiv, që na bën më tepër besimplotë që ne të gjithë së bashku mund të bëjmë më shumë. Shikoj sot këta fëmijë të mrekullueshëm, që po gëzojnë më çantat e bukura me veshje sportive, me uniformat që ata kanë marrë dhe që i bëjnë sot të ndjehen më mirë se ç’ishin një ditë më parë. Unë sot para të gjithëve duhet t’iu them që jam shumë i kënaqur për produktin, për këtë fushë fantastike dhe për përpjekjet e të gjithëve që u kurorëzuan me këtë vepër mjaft të rëndësishme”, – tha Leli. Sakaq, FSHF do të vazhdojë njëkohësisht me projektin Uniforma Ime edhe me projektin tjetër madhor 100 fushat për të shtuar inventarin e fushave të futbollit në të gjithë Shqipërinë.

You may also like