Idajet Beqiri: Berishën e prek edhe ligji aktual, personat e shpallur të padëshiruar nga SHBA nuk mund të jenë në Parlament

by admin
Spread the love

Avokati Idajet Beqiri ka komentuar ndryshimet në ligjin e dekriminalizimit sa i përket personave “non grata”. Ai u shpreh se shpallja “non grata” e një personi është e barazvlefshme me një dënim penal për një krim shumë të rëndë.

Sipas avokatit, mos përfshirja në ligjin e dekriminalizimit të personave të shpallur “non grata”, është një gabim i cili duhet korrigjuar menjëherë duke shtuar një dispozitë ligjore.

“Shpallja e një personi “non grata” prej vendeve të BE, SHBA, Angli, Australi, Kanada dhe Zvicër është e barazvlefshme me një dënim penal për një krim shumë të rëndë. Të shpallësh një person “non grata” kjo duhet t’i paraprijë një hetimi tepër serioz, objektiv dhe shterues të krimeve të rënda të kryera prej këtij personi në vendin që të shpallë “non grata”, ose në vendin e origjinës së tij. Në Ligjin “Mbi dekriminalizimin” janë vendosur ndalime të personave që duan të zgjidhen në organet e qeverisjes qendrore dhe vendore edhe sepse kanë kryer vepra penale me rrezikshmëri të pakët shoqërore, apo për raste të parashkrimit të veprës penale, të rehabilitimit etj. Mos përfshirja në Ligjin “Mbi Dekriminalizimin” të personave të shpallur “non grata” nga SHBA dhe vendet e BE, Anglia, Australia, Kanada, është një antikap i papranueshëm, i cili duhet të korrigjohet menjëherë përmes shtimit të një dispozite ligjore në Ligjin “Mbi Dekriminalizimin”, u shpreh ai.

Lidhur me situatën për Berishën, avokati u shpreh se “fenomeni Berisha” është i zgjidhur me ligjin aktual të dekriminalizimit. Sipas tij, nëse KQZ vendos të interpretojë dispozitën përkatëse mbi dekriminalizimin, mund ta përjashtoje Berishën nga parlamenti dhe ti japë fund konfliktit të hapur.

“Ndërsa “Fenomeni Berisha”, i shpallur “non grata” nga SHBA është i zgjidhur me Ligjin aktual “Mbi Dekriminalizimin”. Në këtë Ligj u ndalohet të jenë deputet, kryetar bashkie, këshilltarë etj të gjithë personave të cilët janë larguar nga një vend i BE, SHBA, Australia, Anglia, Kanada për shkak të veprave penale të kryera. Largimi me dhunë nga një vend i lartpërmendur i një shtetasi shqiptar, është i barasvlershëm, madje shumë më pak i dëmshëm se shpallja “non grata”. Në këtë aspekt KQZ, nëse ka vullnet pozitiv dhe kërkon që ligji të sundojë në këtë vend, e ka në kompetencë të interpretojë dispozitën përkatëse të Ligjit “Mbi Dekriminalizimin” dhe të vendosë përjashtimin nga Kuvendi i Shqipërisë i Sali Berishës, në konflikt të hapur me Ligjin “Mbi Dekriminalizimin”, tha ai.

You may also like