Ibrahimi: A pranoi ASH-ja që gjuha shqipe të mbetet jashtë Kushtetutës?

by admin
Spread the love

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dorëzoi dje në Kuvend propozimet për ndryshimet Kushtetuese, me qëllim futjen e pakicës bullgare në Preambulë, ashtu siç parashikohet me “propozimin francez”.

Megjithatë, në tekstin e përpiluar dhe propozuar nga Qeveria, nuk parashikohet që me këto ndryshime të njihet edhe gjuha shqipe në Kushtetutë, duke zëvendësuar formulimin “gjuha që flasin mbi 20% e qytetarëve”.

Për këtë ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi. Ai thotë se nuk habitet që “partia Soravia” – duke aluduar në BDI-në – ka hequr dorë nga gjuha shqipe, por pyet nëse edhe Aleanca për Shqiptarët ka harruar premtimet lidhur me këtë çështje.

“Në propozim-ndryshimet kushtetuese, që u janë shpërndarë deputetëve dje, nuk është propozuar edhe zëvendësimi i formulimit ofendues 20% për gjuhën shqipe. Për këta të partisë Soravia e di, se atyre aq u bën që gjuha shqipe emërtohet me përqindje, sepse atyre u mjaftojnë përqindjet nga qendrat si Soravia e nga bizneset e tjera, por mos më thoni se këtë propozim e kanë pranuar edhe këta të Aleancës për Shqiptarët”, shkruan Ibrahimi në Facebook.

Alternativa kohë më parë propozoi që, përveç njohjes dhe emërtimit të gjuhës shqipe ashtu siç duhet në Kushtetutë, të votohet edhe një amendament kushtetues për parandalimin e vjetërsimit të veprave penale që kanë lidhje me korrupsionin politik të nivelit të lartë.

You may also like