“I mituri, mjeku dhe vajza që do bëhej nuse”, historitë zemërthyese të viktimave në Gaza – Shqip

by admin
Spread the love

Numri i viktimave në Gaza vijon të rritet, ndërsa Izraeli ka intensifikuar sulmet kundër Hamasit. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se më shumë se 9,000 njerëz janë vrarë që nga fillimi i luftës.

Për shkak të shqetësimeve të sigurisë, ka shumë pak gazetarë në Gaza për të dokumentuar koston njerëzore të luftimeve. Por BBC News ka kontaktuar me disa familje dhe dëshmitarë okularë, të cilët kanë treguar histori të njerëzve që janë vrarë ditët e fundit.

Jusof Ebu Musa

Furnizimi me energji elektrike për Jusof dhe për vëllanë dhe motrën e tij nuk ishte problem pasi babai i tyre kishte vendosur panele diellore në shtëpi në mënyrë që ata të shikonin filmat e preferuar vizatimorë.

Ata ishin vendosur para televizorit më 15 Tetor, kur shtëpia e tyre u godit nga një sulm ajror izraelit që shkaktoi vdekjen e Jusofit 7-vjeçar pasi çatia e shtëpisë së tyre u shemb. Motra dhe vëllai i tij shpëtuan me disa lëndime në trup.

I ati i tij, Mohamed ishte duke punuar një turn 24-orësh si mjek në spital kur gruaja e tij, Rawan, hyri, duke bërtitur në kërkim të djalit të tyre më të vogël, por vetëm ekipet e kërkim-shpëtimit mundën që ta nxirrnin atë nga rrënojat.

“Hera e fundit që pashë Yusof-in gjallë ishte kur ai vrapoi të më përqafonte në pragun e shtëpisë sonë, pak para se të nisesha për në punë. Ai më puthi dhe më tha lamtumirë pasi i kisha dhënë disa biskota dhe banane. Ai donte të bëhej mjek, ndoshta sepse më shihte gjithmonë duke shkuar në spital për punë”, kujton Mohamed.


Dr Midhat Saidam

Në mbrëmjen e 15 Tetorit, Dr Saidam kishte nevojë për një pushim. Kirurgu 47-vjeçar nuk ishte larguar nga spitali al-Shifa, në qytetin e Gazës për më shumë se javë. Ai i njoftoi kolegët e tij se kishte nevojë të shkonte në shtëpi. Fatkeqësisht, disa orë pasi mbërriti në banesën e tij, u vra si pasojë e një sulmi izraelit.

“Ky njeri i qetë, qesharak dhe zemërmirë u kthye në spital të nesërmen në mëngjes, por i pajetë,” shpjegoi kolegu i tij, Adnan Albursh.

Doktori, i cili e kishte njohur kirurgun për më shumë se 20 vjet, shtoi se kolegu i tij i ndjerë ishte shumë i përkushtuar ndaj punës së tij.

“Nëse ndonjë nga mjekët përballej me ndonjë vështirësi, ata e dinin që Dr Saidam ishte ai që do ta zgjidhte atë. Vdekja e tij është një humbje e madhe jo vetëm për këtë spital, por edhe për profesionin mjekësor”, tha doktor Ahmed El Mokhallalati, kreu i departamentit të kirurgjisë plastike në spitalin al-Shifa.


Lurin Azzam Abuhalima

Në komunikimin e fundit që pati me të fejuarin e saj, Khaled al-Masry, Lurin tha se ishte e lodhur dhe e rraskapitur nga lëvizja nga një vend në tjetrin në kërkim të sigurisë nga lufta. 30-vjeçarja sapo kishte mbërritur në kampin e refugjatëve Nusairat, në qendër të Rripit të Gazës, për të qëndruar me tezen e saj.

Lurin i kishte mbijetuar dy sulmeve, duke përfshirë një që daton më 16 Tetor që rrafshoi ndërtesën ku ajo jetonte me prindërit e saj në qytetin e Gazës.

“Ajo më tha se do të bënte një dush, do të lutej dhe do të pushonte,” kujton i fejuari i saj.

Sipas Khaled, i cili jeton dhe punon në Qipro, e fejuara e tij ishte duke u falur në një dhomë kur shtëpia në të cilën ajo ndodhej, u godit nga sulmet.

“Ajo u vra ndërsa po falej”, thotë ai.

Lurin dhe Khaled e kishin shtyrë 2 herë dasmën për shkak të situatës së paqëndrueshme në Gaza, por kohët e fundit, çifti kishte planifikuar që të martoheshin në Dhjetor dhe të transferoheshin për të jetuar në Qipro.

“Ajo është duke pushuar përgjithmonë. Duhet të vishte një fustan të bardhë, por tani ka veshur një qefin të bardhë”, thotë i fejuari i saj mes dhimbjes së madhe për humbjen e së dashurës së tij./tvklan.al

You may also like