Haradinaj: Greva e Minatorëve ishte akt i guximshëm e moment kthese në përpjekjet tona për liri

by admin
Spread the love

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, me rastin e 34-vjetorit të Grevës së Minatorëve, është shprehur se kjo grevë ishte akt i guximshëm dhe moment kthese në përpjekjet për liri.

“Greva e Minatorëve ishte akt i guximshëm e moment kthese në përpjekjet tona për liri. Kjo grevë u shndërrua në rezistencë gjithëpopullore, duke lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë”, shkroi ai.

Haradinaj shkroi në Facebook se në kohën kur ai ishte kryeministër, në mars të vitit 2019, me votimin e Statutit të “Trepçës” u regjistrua si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës.

“Mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e punëtorëve të devotshëm të kohë, ishte rikthimi i Trepçës në burim jete. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në mars të vitit 2019, me votimin e Statutit të “Trepçës” e regjistruam si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës”.

“Ky ishte hap kyç për t’i dhënë këtij aseti fuqinë për investime dhe gjenerim stabil të të hyrave, punësim dhe për ta rikthyer atë në funksion të plotë të ekonomisë së vendit, të shtetit të Kosovës dhe të minatorëve”, shkroi ai.

Haradinaj ndër të tjera shtoi edhe se qeveria e tanishme e ka neglizhuar këtë ndërmarrje, përcjell Klankosova.tv.

“Fatkeqësisht, qeveria e tanishme e ka neglizhuar këtë ndërmarrje. Sot, Trepça është duke u ballafaquar me mungesë të financave, me borxhe e prodhim minimal. Ndërkaq, punëtorët përballen me kushte të rënda pune, të ardhura tejet minimale e pa sigurim shëndetësor”.

“Menaxhimi i dobët këtë ndërmarrje po e dërgon drejt kolapsit. Nëse nuk intervenohet shpejt, gjendja do bëhet edhe më serioze. Trepça ka potencial ta rikthejë shkëlqimin e dikurshëm dhe të jetë krah i fuqishëm i ekonomisë sonë”, ka shkruar tutje ai.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

You may also like