Grua e jashtëzakonshme, jemi krenarë me ty

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Filmi vendor “Zgjoi” ishte fitues i dyfishtë në festivalin “Seminci” në Spanjë.

Aktorja Yllka Gashi fitoi çmimin “Aktorja më e mirë”, për portretizimin e Fahrije Hotit në film.

Filmi i regjisores Blerta Basholli po ashtu mori çmimin “Fundos”, në Festivalin Ndërkombëtar të Valladolidit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një statusi në Twitter, ka uruar për këtë sukses të jashtëzakonshëm aktoren Yllka Gashi, të cilën e quajti një superyll ndërkombëtar.

“Kjo grua e jashtëzakonshme është shndërruar nga një aktore në ekranet tona televizive të Kosovës në një superyll ndërkombëtar. Yllka, jemi shumë krenarë me ty! Performanca juaj në #Hive solli në jetë luftën e grave të Krushës – vërtetë e merituar!”, ka shkruar Osmani në statusin e saj.

Gjatë pranimit të çmimit si aktorja më e mirë, Gashi tha se ka qenë nderi i jetës së saj të luaj këtë rol dhe të nderojë Fahrijen.

“Është një histori e veçantë, specifike, e që ndodh në Kosovë, por është gjithashtu një histori universale që frymëzon këdo në botë. Sepse tregon historinë e dikujt që vuan, por që i duhet të kalojë këtë situatë e të arrijë qëllimet e veta. Është një histori e vërtetë dhe më pëlqen që në filma mund të shohësh edhe gra të forta, jo vetëm viktima. Pra të shohësh gra që janë të afta të marrin në dorë fatin e tyre. Ka qenë nderi i jetës sime të luaj këtë rol dhe të nderoj Fahrijen”, është shprehur aktorja e njohur.

Filmi “Zgjoi” që deri tani është shpërblyer me disa çmime prestigjioze ndërkombëtare u dha premierën në Kosovë më 28 tetor, teksa nga 5 nëntori “Zgjoi” do shfaqet edhe në kinematë amerikane.


You may also like