Grevë e përgjithshme në Greqi/ Indinjata për aksidentin tragjik me përplasjen e dy trenave

by admin
Spread the love

Punonjësit e sektorit publik dhe atij privat në Greqi kanë mbushur rrugët e qyteteve më të mëdha të vendit pas një greve 24 orëshe që kanë shpallur sindikatat e dy sektorëve që përfaqësojnë mbi 2.5 milion grekë, në një moment kur përshkallëzohet edhe më tepër zemërimi dhe indinjata për aksidentin vdekjeprurës të  përplasjes së dy trenave, në fund të shkurtit ku humbën jetën të paktën 57 persona.

Mijëra njerëz marshuan drejt Parlamentit grek  dhe në sheshet e tjera të kryeqytetit duke kërkuar drejtësi për viktimat. Për shkak të grevës shërbimet publike dhe shkollat shtetërore u mbyllën, ndërsa transporti urban u ndërpre. Protestave iu bashkuan shoferët e taksive dhe stafi i metrosë, kontrollorët e trafikut ajror, si dhe punonjësit e sektorit të marinës detare.

“Jemi këtu për t’iu bashkuar studentëve, prindërve, mësuesve dhe punëtorëve. Kërkojmë të mos mbulohet krimi dhe të zbulohen fajtorët”, tha një studente.

Megjithëse hetimet për aksidentin janë në zhvillim dhe priten deponime të tjera nga përgjegjësi i stacionit të Larisës, që urdhëroi në mënyrë fatale dy trena të lëviznin me shpejtësi të madhe drejt njëri-tjetrit dhe më pas të përplaseshin, qytetarët greke vazhdojnë të indinjohen kryesisht për faktet që zbulohen në lidhje me keqmenaxhimin afatgjatë të rrjetit hekurudhor.

Ditën e hënë ministri aktual i Transportit dhe ish-ministrat e këtij dikasteri do të dalin përpara një komisioni parlamentar për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve mbi tragjedinë.

Kjo është greva e dytë masive në shkallë vendi që pasohet më protesta , pas atyre të javës së kaluar që nxorën në rrugë dhjetëra mijëra grekë dhe konservatorët në fuqi shohin një rënie të ndjeshme në sondazhe, disa javë para zgjedhjeve parlamentare.

Edhe pas marshimeve të sotme nuk kanë munguar disa konfrontime të anarkistëve me forcat policore që janë përgjigjur me bombat me gaz lotsjellës.


Top Channel

You may also like