GREQI – Përleshje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve në Athinë

by admin
Spread the love

ATHINE, 5 mars /ATSH-DPA/ – Përleshje të dhunshme shpërthyen sot mes policisë dhe demonstruesve përballë parlamentit në Athinë gjatë një mitingu proteste pas katastrofës së trenit në Greqi që vrau 57 njerëz të martën në mbrëmje.

Demonstruesit u vunë zjarrin kazanëve të plehrave dhe hodhën kokteje molotov dhe policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe granata trullosëse në qendër të kryeqytetit grek.

Brenda pak minutash, sheshi ”Sintagma”, u zbraz nga 12 000 demonstrues, sipas një numërimi të ri nga policia, të cilët ishin mbledhur pak më parë për të kërkuar llogari nga autoritetet greke pas kësaj përplasjeje mes dy trenave që lëvizin në të njëjtën linjë.

Kjo dramë, e cila po trondit mbarë vendin, ka ngjallur zemërim të pamasë edhe për neglizhencën dhe mangësitë në hekurudhë të zbuluara me këtë aksident.

Gjendja e rrënuar e rrjetit hekurudhor, problemet e ndryshme në sistemin e sinjalistikës dhe sigurisë në hekurudha janë vënë në dukje pasi menaxheri i stacionit të Larisës, qyteti më i afërt me aksidentin, ka pranuar përgjegjësinë e tij.

“Ne ndjejmë zemërim të jashtëzakonshëm”, tha Michalis Hasiotis, president i sindikatës së kontabilistëve që iu bashkuan protestës.

”Lakmia, mungesa e masave për mbrojtjen e pasagjerëve ka sjellë tragjedinë më të rëndë hekurudhore në vendin tonë”, theksoi ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like