Gola të anuluar, karton i kuq dhe polemika, Fiorentina triumfon ndaj Empolit

by admin
Spread the love

Ka mjaftuar një gol i Nicolas Gonzalez që Fiorentina të marrë tre pikë të rëndësishme në luftën për një vend në kupat e Europës. Sulmuesi argjentinas arriti të shënonte golin e vetëm në fitoren minimale kundër Empolit, ndërsa këta të fundit u detyruan të luanin me 10 lojtarë pas ndëshkimit me karto të kuq të Lupertos.

Ndeshja nisi vrullshëm nga të dyja ekipet që kërkuan menjëherë të ndryshonin rezultatin, por në asnjë rast ekipet nuk u treguan të qartë përballë portës. Saponara arriti të rrezikonte portën e Empolit, por goditja e tij shkoi ngjitur me shtyllën e portës së mbrojtur nga Vicario.

Empoli sakaq gjeti edhe rrugën e rrjetës në minutën e 39-të pas një paqartësie në zonën e Fiorentinës. Di Francesco shënoi një gol mjaft të bukur me një goditje akrobatike, por sistemi VAR anuloi gjithçka për një faull të Pinamontit në dëm të portierit.

Në pjesën e dytë, Fiorentina e nisi në sulm dhe gjeti rrugën e rrjetës me anë të Arthur Cabral, por sërish gjyqtari anuloi gjithçka për një pozicion jashtë loje.

Luperto u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 57-të ndërsa në aksionin pasardhës, Nicolas Gonzales arriti të zhbllokonte edhe rezultatin. Një harkim në zonë nga Biraghi, shkoi në kokën e sulmuesit argjentinas që më pas e ndali topin në rrjetë.

Ky ishte edhe goli që vulosi rezultatin final të takimit me Fiorentinën që doli nga ky takim me tre pikë që e çojnë në kuotën e 50 pikëve, 2 më pak se vendi i pestë që të çon në Europa League dhe 1 më pak se vendi i gjashtë që të çon në Conference League. /oversport.tv

Foto: ACF Fiorentina, Twitter

You may also like