GJERMANI – Erdogan në vizitë zyrtare, në mes të retorikës kundër Izraelit

by admin
Spread the love

BERLIN, 10 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të vizitojë Gjermaninë të premten e ardhshme, pas disa javësh spekulimesh për një vizitë të liderit turk, retorika e ditëve të fundit e të cilit ka qenë kundër Izraelit.

“Erdogan do të takohet me kancelarin Olaf Scholz dhe presidentin Frank-Walter Steinmeier dhe do të bisedojë për të gjithë gamën e temave politike”, tha sot në Berlin zëvendës zëdhënësja e qeverisë Christiane Hoffmann.

Prej disa javësh kanë qarkulluar spekulime rreth vizitës së tij, duke përfshirë pjesëmarrjen e Erdogan në një ndeshje miqësore futbolli midis Gjermanisë dhe Turqisë më 18 nëntor.

Kjo do të jetë vizita e parë e Erdoganit në Gjermani që nga viti 2020. Rreth 3 milionë shtetas me origjinë turke jetojnë në Gjermani, më shumë se çdo vend tjetër jashtë Turqisë.

Bisedimet mes liderëve per luftën në Gaza pritet të jenë çështje të tensionuara.

Erdogan ka qenë një kritik i hapur i Izraelit dhe ka kritikuar bombardimet e vazhdueshme të Gazës që nga shpërthimi i konfliktit me Hamasin më 7 tetor.

Udhëheqësit gjermanë kanë përsëritur ndërkohë se Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë për fatin e hebrenjve dhe sigurinë e Izraelit pas Holokaustit në Luftën e Dytë Botërore.

Migrimi është një tjetër pikë pengese e mundshme midis dy vendeve.

Turqia luan një rol qendror në menaxhimin e flukseve të migracionit në Evropë.

“Scholz dhe Erdogan do të bisedojnë gjithashtu për marrëveshjen BE-Turqi për akomodimin e refugjatëve nga Lindja e Mesme në Turqi”, konfirmoi zëdhënësja./ /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like