Gjendja e mjedisit dhe hapësirave të gjelbra në Kosovë, jo e mirë, thonë nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenas”

by admin
Spread the love

Ndotja e ambientit dhe mungesa e hapësirave të gjelbra në mjediset urbane, është një shqetësim i madh në vitet e fundit në vend, dhe jo vetëm.

Derisa ndërtimi i banesave dhe shtrirja e betonit sa vjen e shtohet, në gjendje më të mirë nuk janë as lumenjtë dhe liqenet. Sipas analizave të bëra gjatë vitit 2022, nga organizata joqeveritare PEN, lumenjtë Llap, Lepenc, Drenicë dhe Sitnicë, kanë rezultuar të ndotur.

Nga ndotja dhe mungesa e pyjeve ndikohet edhe në ngrohjen globale. Kjo është një ndër temat më të diskutuara botërore në dekadën e fundit. Temperaturat e larta, shirat e rrëmbyeshëm e shkrirja e akullnajave, janë disa dukuri për të cilat shkenca fajëson për ngrohjen globale.

Organizata të ndryshme bëjnë thirrje që qeveria dhe komunat të zbatojnë ligjet dhe ndotësit të sillen para drejtësisë, me kërkesat që ngjyra e gjelbër të mbizotërojë e ambienti të ruhet. Thirrjet e tyre hasin në vesh të shurdhër. Me situata të tjera që përballet Kosova, vetëdijesimi apo kthimi i vëmendjes drejt ambientit nuk shihet në horizont.

Iniciativa Qytetare “Green për Drenas” është një ndër organizatat që bën thirrje për mbrojtje të mjedisit. Klankosova.tv ka zhvilluar një intervistë me dy përfaqësues të kësaj organizate; Kryetarin e Iniciativës, Xhavit Drenori, dhe anëtarin tjetër, Arbër Halilaj, i cili po ashtu është asamblist në Komunën e Drenasit.

Drenori vlerëson se gjendja e ambientit në Kosovë është jo e mirë. Ai sheh anashkalim total të ambientit nga udhëheqësit komunalë edhe ato qendrore në Kosovë.

Ai tha se asnjë komunë apo qeveri nuk mund të lavdërohet se ka bërë shumë në këtë aspekt. “Partitë që kanë udhëhequr komunat dhe vendin deri më tani çështjet mjedisore në programet e tyre i kanë pasur të shkruara në gjysmë faqe, vetëm sa për dekor dhe për të mos thënë që nuk janë përmendur”, shprehet ai në intervistë, duke shtuar se veprimtaria është më e lënë anash për faktin se qytetarët sot merren me probleme ekzistenciale, më tepër sesa me ato mjedisore.

“Ecuria e zhvillimit  shoqëror – ekonomik  të Kosovës në të kaluarën dhe tani, bën të kuptojmë se  zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit jo që nuk kanë shkuar paralelisht, por kanë qenë çështje të anashkaluara nga qeveritë lokale dhe qendrore dhe në shumicën e rasteve të nënshtruara ndaj interesave politike ditore”.

Drenori ka thënë se situata me ambientin në vend nuk është aspak e mirë.

“Gjendja e ambientit jetësor në Kosovë është jo e mirë, me termoelektrana të vjetruara që përdorin si lëndë të parë linjitin, me një numër të madh automjetesh në qarkullim, menaxhim të dobët të mbeturinave, ndotje të ujërave dhe ajrit, degradim të pyjeve dhe hapësirave të gjelbëruara, moszbatim të ligjeve e mungesë të vetëdijes qytetare etj. Kosova  përjetoi   një  shkatërrim  të  plotë  ekonomik   dhe  një  degradim  të   madh mjedisor për dekada të  tëra, duke pasur edhe një shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik, si vend në zhvillim dhe shtet i sapodalë nga lufta”, ka shtuar Drenori.

Sipas tij sistemi energjetik mbetet ndotësi më i madh, shkaku i teknologjisë dhe pajisjeve të vjetruara.

“Kjo gjendje është prezantuar si e tillë edhe në Raportin e Progresit për mjedis, e që flet se jemi larg përmbushjes së standardeve mjedisore të BE-së dhe në fazën fillestare të veprimeve në këtë fushë”.

Tek kjo pjesë, sipas tij asnjë komunë apo qeveri lokale ose qendrore nuk mund të lëvdohet se ka bërë shumë për ambientin.

“Në tërë Kosovën janë bërë vetëm dy impiante të mëdha të përpunimit të ujërave të zeza, një në Skenderaj dhe tjetri në Prizren. Ku derdhen ujërat e zeza në tërë Kosovën? Derdhen të papërpunuara drejt në lumenj, bashkë me ujërat industriale, vajrat motorike, kemikalet e ndryshme etj. duke bërë kështu ekocid në biodiversitetin tonë dhe ambientin ku jetojmë.  Edhe ashtu, Kosova ka resurse shumë të pakta ujore, e nëse edhe ato nuk ruhen dhe ndoten, atëherë e ardhmja jonë është e zymtë”.

“Pothuajse të gjitha komunat dhe vendbanimet, kush më pak e kush më shumë, kanë probleme në menaxhimin e mbeturinave, grumbullimin, transportin dhe riciklimin e tyre. Nëpër rrugët tona qarkullojnë vetura të stërvjetruara që shkaktojnë ndotje të madhe”, thotë ai.

Drenori në intervistë ka paraqitur edhe pritshmërinë për vitin 2023.

“Së pari, pres një shtim konstant të ndërgjegjësimit të qytetarëve për prioritetin që ka mbrojtja e ambientit jetësor. Paralelisht me këtë, pres që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, komunat, OJQ-të, ta kuptojnë se janë të detyruar edhe me ligj që të mbrojnë shëndetin e qytetarëve dhe jo interesat e investitorëve. Shëndeti dhe jeta e njerëzve nuk mund të blihet me para dhe pres që në zbatim të politikave të gjelbra, të përdoren të gjithë mekanizmat, propozimet legjislative, peticionet, protestat e deri te hulumtimet, analizat, inspektimet, paditë dhe kallëzimet penale, për të korrigjuar pasojat e degradimit të deritashëm mjedisor, për të filluar me rehabilitimin kudo që është i mundshëm, si dhe parandalimin e pasojave të reja, edhe më katastrofale për popullsinë dhe ambientin jetësor”.

“Pres që projektet për ruajtje të ambientit jetësor, investimet në bujqësinë bio, eko-turizmin, pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura, ruajtjen e tokave bujqësore, të zënë vend në planet qeverisëse lokale e qendrore, në të mirë të qytetarëve pa dallim. Çështjet mjedisore pres të marrin vendin e duhur, meqë kanë të bëjnë me jetën e secilit prej nesh, prandaj si të tilla i tejkalojnë agjendat dhe inatet partiake”.

Për asamblistin Arbër Halilaj, Komuna e Drenasit nuk i ka prioritet politikat mjedisore.

Sipas tij meqë ato nuk shkojnë paralelisht me prioritetin tjetër madhor të saj në këtë mandat, e ku përmend  ndërtimet me e pa kritere, në kundërshtim me interesin publik të qytetarëve.

“Mbrojtja e mjedisit nuk mund të tkurret vetëm në mbjelljen simbolike të fidanëve të reja e barit nëpër sheshe, kur njëqindfish më tepër investohet në beton e hekur dhe në projekte tjera të papërfunduara infrastrukturore”.

“Nuk ka monitorim dhe matje të vazhdueshme të ndotjes së ujit, ajrit dhe tokës, si dhe efekteve në shëndetin e popullatës. Për të bërë më shumë, do të duhej themeluar Drejtorinë për Çështje Mjedisore me staf profesional, aq më tepër në një komunë me ndotje të madhe që vjen nga Ferronikeli dhe ndotësit tjerë më të vegjël, duhet ndarë buxhet shumë më të madh për këtë problematikë, meqë do të na shoqërojë si kusht i vazhdueshëm dhe i domosdoshëm në rrugëtimin drejt BE-së”, shprehet Halilaj.

Për të roli udhëheqës i institucioneve qeverisëse qendrore dhe lokale i obligon ato që të sigurojnë kushtet dhe të mobilizojnë kapacitetet e gjithmbarshme të shoqërisë në të gjitha nivelet për të vënë si prioritet mbrojtjen e mjedisit, paralelisht me synimin e zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik.

“Jemi shtet i pavarur dhe rrjedhimisht Kosova si partnere e barabartë merr pjesë në forumet rajonale e ndërkombëtare ku hartohen strategjitë dhe konventat sa i përket mjedisit jetësor, prandaj këto standarde ndërkombëtare duhet domosdo t’i inkorporojmë dhe zbatojmë, si në rrafshin e infrastrukturës ligjore ashtu edhe të zbatimit praktik të normave”, ka shtuar Halilaj.

Që situata të përmirësohet, ai ka disa propozime që duhet marrë parasysh:

– Zbatimi strikt i ligjeve ekzistuese për mbrojtjen e mjedisit, sipas parimit “ndotësi paguan”!;

– Mbrojtja e mjedisit të jetë pjesë e planeve zhvillimore të çdo sektori që ndikon dhe ka të bëj me mjedisin.

– Të anëtarësohemi dhe të bashkëpunojmë me strukturat evropiane që merren me mbrojtjen e mjedisit.

– Shtimi i përgjegjësisë për menaxhimin e çështjeve mjedisore në nivelin komunal në bazë të ligjeve ekzistuese, bashkë me këtë shtimi i numrit të Inspektorëve mjedisor;

– Ndarja e përgjegjësive dhe detyrimeve për problemet mjedisore në mes të nivelit qendror dhe lokal; subjekteve

– Ndryshimi i sistemit të punës dhe sjelljes në bizneset prodhuese dhe nga ana e konsumatorit;

– Funksionalizimin e instrumenteve monitoruese në nivel vendi, duke pasur prioritet ndotësit e mëdhenj;

– Zbatimi i ligjshmërisë për të arritur ngritjen e përgjegjësisë individuale dhe vetëdijesimin e popullatës;

– Planifikimi i zhvillimit ekonomik dhe përcaktimi i prioriteteve sipas fushave për investime publike e private;

– Hulumtime rreth gjendjes së tanishme të resurseve natyrore, cilësisë dhe sasisë së tyre;

– Gjendja e biodiversitetit në Kosovë dhe e rajoneve të mbrojtura të natyrës;

– Analiza e gjendjes së mjedisit, dëmtuesve kryesor të tij dhe efekteve në shëndetin e njeriut;

– Rritja e fondeve dhe burimeve tjera financiare të nevojshme për arritjen e qëllimit të përmirësimit të gjendjes mjedisore në Kosovë;

– Koordinimi i aktiviteteve në mes institucioneve ekzekutive dhe atyre shkencore të

Kosovës, të rajonit dhe ndërkombëtare sa i përket problematikës së ruajtjes së mjedisit jetësor;

– Favorizimi i veprimtarive ekonomike më pak të dëmshme për mjedisin jetësor;

– Zvogëlimi gradual i ndotjes duke ndaluar gradualisht veprimtaritë ekonomike që sjellin dëme në shëndetin e njeriut dhe në mjedisin jetësor.

You may also like