General Motors po përdor Inteligjencën Artificiale për të shpejtuar kontrollin e makinave

by admin
Spread the love

General Motors po përfshin Inteligjencën Artificiale në procesin e kontrollit të makinave.

Shtëpia automobilistike po bën “një investim strategjik”, në bashkëpunim me startup-in izraelit UVeye, që prodhon sisteme diagnostikuese për makinat që përdorin sensorë të Inteligjencës Artificiale për të identifikuar shpejt pjesët e dëmtuara ose problemet e mirëmbajtjes.

Investimi në UVeye u krye nga GM Ventures, fondi i sipërmarrjes së shtëpisë automobilistike, i cili ka investuar edhe në startup-e të tjera që mbështeten në Inteligjencën Artificiale.

Si pjesë e bashkëpunimit, GM do ta shesë teknologjinë e UVeye në rrjetin e vet të koncesionarëve për të azhurnuar sistemet e kontrollit të automjeteve. (Sistemet e kompanisë janë duke u testuar në një numër të vogël koncesionarësh të GM në të gjithë SHBA-në).

General Motors do të bashkëpunojë me UVeye edhe në një sërë projektesh teknologjike të kontrollit të automjeteve, që përfshijnë ankandet e makinave të përdorura, operacionet e flotës dhe shitjet e koncesionarëve automobilistikë.

Në bazë të imazheve dhe videove të ofruara nga kompania, teknologjia e UVeye i ngjan një skaneri trupi në aeroporte (body scanner) për automjetin. Makina kalon në skaner me drita të ndezura nga brenda dhe, në pak minuta, ofruesit e shërbimit kanë një raport të detajuar për gjithçka që nuk shkon në makinë e deri te presioni i gomave.

Sistema UVeye përdor Inteligjencën Artificiale, machine learning dhe telekamera me rezolucion të lartë për të kontrolluar në mënyrë “të shpejtë dhe të saktë” gomat, pjesën e poshtme dhe të jashtme të automjetit për defekte, pjesët që mungojnë dhe probleme të tjera të lidhura me sigurinë.

General Motors thotë se teknologjia e UVeye do të vihet në dispozicion të 4 mijë koncesionarëve në të gjithë SHBA-në. Në fillim të këtij viti, kompania izraelite nënshkroi një marrëveshje me një sistem të rëndësishëm të menaxhimit të shitjes me pakicë të automobilave të përdorur nga mbi 15,000 koncesionarë në SHBA.

/ The Verge


Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like