Gana merr fitoren e parë në Katar, mposht në një sfidë spektakolare Korenë e Jugut

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Gana merr fitoren e parë në Katar pasi ka mposhtur mes spektaklit Kroenë e Jugut me rezultatin 3-2. Afrikanët nuk shfrytëzuan si duhej avantazhin e dy golave të pjesës së parë dhe panë se si baraspeshohej rezultati nga Korea, por Kudus realizon edhe golin e tretë duke i dhënë kështu tre pikët e para.

Minutat e para nuk janë shumë aktive nga të dyja ekipet që studiojnë taktikat e kundërshtarit, por më pas presioni rritet gradualisht. Është Gana që zhbllokon rezultatin në minutën e 24-të me Salisu që përfiton nga një rrëmujë në zonë dhe çon topin në rrjetë. 10 minuta më vonë, vjen edhe dyfishimi i rezultatit me Kudus që shfrytëzon një harkim të mirë në zonë dhe me kokë i çon shifrat në 2-0.

Duket se do të jetë një fitore e lehtë për afrikanët, por Korea e Jugut nuk dorëzohet dhe në pjesën e dytë arrin të vendos baraspeshën me dy gola brenda 3 minutave. Në të dyja rastet Cho Gue-Sung përfiton nga përgjumja e mbrojtjes së Ganës dhe realizon dy herë me kokë duke i çuar shifrat në 2-2.

Janë minuta më të mira për Korenë që fitojnë vetëbesim nga golat e realizuar dhe hidhen në sulm për përmbysjen e madhe. Megjithatë, nga kjo situatë përfiton Gana që realizon edhe golin e tretë me Kudus. Iniaki Williams nuk godet dot pas një pasimi në zonë, por topi shkon në këmbët e Kudus që me të majtën mposht portierin Kim.

Me rezultatin 3-2 mbyllet edhe takimi me Ganën që merr 3 pikët e para në këtë Botëror. Gana ngjitet kështu në kuotën e 3 pikëve në grupin H dhe qëndron në pritje të përballjes midis Portugalisë dhe Uruguait. Megjithatë, gjithçka në këtë grup pritet të vendoset në sfidën e fundit ku Gana do të “përplasë brirët” për një vend në fazën e 1/8 me Uruguain. /oversport.tv

Foto: FIFA World Cup, Twitter

You may also like