PARIS, 29 nëntor /ATSH-DPA/ Franca ka planifikuar të kufizojë më tej pirjen e duhanit në publik duke rritur çmimin e një pakete cigare në 13 euro (14,3 dollarë).
“Ndalimi i pirjes së duhanit do të shtrihet në plazhe, parqe, pyje dhe vende publike si shkollat”, njoftoi dje ministri i Shëndetësisë, Aurélien Rousseau në Paris.
Cigaret elektronike të njëpërdorshme do të ndalohen.
“Çmimi i një pakete cigaresh do të rritet nga rreth 11 euro në 13 euro deri në vitin 2027”, tha Rousseau.
“Synimi është largimi i konsumit të duhanit nga hapësirat publike”, tha ministri.
“Rreth 200 vdekje në ditë në Francë i atribuohen konsumit të duhanit. Prandaj, popullsia duhet të marrë më shumë mbështetje për të lënë duhanin. Për shembull, farmacitë duhet të përshkruajnë terapi zëvendësuese të nikotinës”, tha ministri në prezantimin e strategjisë kundër duhanit.
Sipas statistikave të fundit të BE-së, përqindja e njerëzve në Francë që pinë duhan çdo ditë përbën 22,2% të popullsisë. Në Gjermani, 15,9% pinë duhan çdo ditë. Mesatarja e BE-së është 19,1%.//a.i/