FRANCË – Mijëra protestues kundër reformave të pensioneve të Macron

by admin
Spread the love

PARIS, 7 shkurt /ATSH-DPA/- Mijëra njërëz kanë dalë sërish në rrugë në shumë qytete të Francës për të protestuar kundër reformave të pensioneve, të planifikuara nga qeveria e presidentit, Emmanuel Macron.

Të martën pati protesta në Bordeaux, Rennes, Montpellier dhe Toulouse. Në të njëjtën kohë pati sërish greva në sektorin hekurudhor, arsimor dhe energjetik.

Qeveria centriste e Francës e udhëhequr nga Macron kërkon të rrisë gradualisht moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç.

Ajo dëshiron të përshpejtojë rritjen e periudhës së pagesës që kërkohet për një pension të plotë.

Gjithashtu, do të hiqen sistemet individuale të pensioneve me privilegje për grupe të caktuara profesionale.

Ndërkohë, pensioni minimal do të rritet në rreth 1200 euro (1290 dollarë) në muaj.

Mosha zyrtare aktuale e pensionit është 62 vjeç, por njerëzit dalin në pension më vonë, pasi ata që nuk kanë paguar për një kohë të gjatë për të kërkuar pensionin e plotë, punojnë më gjatë.

Pensioni i plotë paguhet nga mosha 67 vjeç, pavarësisht nga numri i viteve të kontributit. Qeveria synon ta ruajë këtë dispozitë.

Sipas qeverisë, reforma është e nevojshme sepse sistemi i pensioneve është i papërballueshëm dhe po shkon drejt deficitit. Sindikatat i kanë konsideruar të padrejta planet e reformës.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like