FOKUS – Von der Leyen mbërrin në Kiev për bisedime mbi pranimin në BE

by admin
Spread the love

KIEV, 4 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen mbërriti sot në Kiev në një vizitë të paparalajmëruar, udhëtimi i saj i gjashtë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus rreth 20 muaj më parë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky priti Von der Leyen në stacionin e trenit në Kiev.

Von der Leyen dhe Zelensky pritet të diskutojnë përparimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Vizita vjen përpara një raporti kyç që Von der Leyen do të prezantojë të mërkurën mbi përparimin e Ukrainës në zbatimin e reformave që shihen si të nevojshme për bllokun.

Raporti pritet të luajë një rol të madh kur krerët e vendeve të BE të vendosin në dhjetor nëse do të nisin apo jo zyrtarisht negociatat e pranimit në BE me Kievin.

Von der Leyen u tha gazetarëve rrugës për në Kiev se ajo donte të siguronte Ukrainën “se ne qëndrojmë fort në krah të tyre” dhe t’u ofronte atyre “nxitje dhe mbështetje”.

Përveç aspiratave të vendit për t’u bashkuar me BE, ajo tha se planifikon gjithashtu të diskutojë mbështetjen financiare dhe ushtarake për vendin si dhe sanksionet kundër Rusisë.

Kreu i ekzekutivit të BE-së pranoi se udhëtimi në zonën e luftës nuk ishte detyrë e përditshme.

“Sa herë që udhëtoj në Ukrainë, ka gjithmonë një ndjenjë tensioni, natyrisht, sepse është një zonë lufte”, tha ajo.

Si në udhëtimet e mëparshme, Von der Leyen udhëtoi nga Polonia në Kiev me një tren special.

Fluturimet drejt Ukrainës janë pezulluar që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të vendit fqinj më 24 shkurt 2022.

Të 27 vendet anëtare të BE-së ende duhet të bien dakord unanimisht për fillimin e negociatave.

Një votë pozitive varet nga shtatë kërkesa, duke përfshirë masa më të forta kundër korrupsionit dhe ndryshime në mënyrën se si zgjidhen gjyqtarët për të shërbyer në Gjykatën Kushtetuese të Ukrainës.

BE po kërkon gjithashtu që Ukraina të përmbushë standardet e bllokut kundër pastrimit të parave dhe të zbatojë legjislacionin për të kufizuar ndikimin e tepruar të oligarkëve në vend./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like