FOKUS – Vendet islamike thirrje SHBA-së të ushtrojë presion ndaj Izraelit për armëpushim në Gaza

by admin
Spread the love

GAZA, 10 dhjetor /ATSH-DPA/ – Disa vende arabe dhe islamike i kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të luajnë një “rol më të gjerë” në presionin ndaj Izraelit për të arritur një armëpushim në luftën në Gaza, tha dje Ministria e Jashtme e Katarit.

Thirrja u bë në një takim në Uashington midis ministrave të Jashtëm të Katarit, Egjiptit, Jordanisë, Saudisë, Palestinës dhe Turqisë me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Ata janë anëtarë të një komiteti ministror të formuar nga një samit urgjent arabo-islamik, i organizuar nga Arabia Saudite muajin e kaluar për të diskutuar situatën në Gaza.

“Gjatë bisedimeve të tyre me Blinken, zyrtarët shprehën zhgënjimin për dështimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të miratuar rezolutën për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës për arsye humanitare, pasi SHBA-ja përdori të drejtën e vetos”, tha Ministria e Jashtme e Katarit në një deklaratë.

Ndërsa 13 nga 15 anëtarët e organizmit botëror votuan pro të premten, SHBA-ja, aleati kryesor i Izraelit, vuri veton ndaj draftit të paraqitur nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Britania e Madhe abstenoi.

Anëtarët e komitetit arabo-islamik ripërsëritën gjithashtu “refuzimin e tyre të unifikuar” të fushatës së vazhdueshme ushtarake izraelite në Gaza, një enklavë e varfër me rreth 2,3 milionë njerëz, dhe bënë thirrje për një armëpushim “të menjëhershëm dhe të plotë” për të mbrojtur civilët.

“Në 24 orët e fundit, sulmet izraelite në Gaza morën 133 jetë të tjera”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

“Gjithsej 71 të vdekur dhe 160 të plagosur u sollën në spitalin al-Aksa, dhe 62 të vdekur dhe rreth 100 të plagosur të dërguar në spitalin Nasser”, njoftoi dje autoriteti.

“Shumica e sulmeve ndodhën në pjesën qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës”, sipas raporteve palestineze.

Trupat tokësore izraelite janë vendosur kryesisht në veri dhe jug të brezit bregdetar, të mbështetur nga forcat ajrore.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like