FOKUS – Tensionet Ukrainë-Rusi rrisin çmimet e naftës dhe gazit

by admin
Spread the love

LONDËR, 22 shkurt /ATSH/ – Çmimet e naftës dhe gazit po rriten bashkë me frikën se kriza Ukrainë-Rusi mund të çrregullojë furnizimet në mbarë botën, shkruan BBC.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, një pikë referimi ndërkombëtar, arriti sot nivelin më të lartë të shtatë viteve prej 99,38 dollarë për fuçi.

Rusia ka urdhëruar futjen e trupave në dy rajone të kontrolluara nga rebelët në Ukrainën Lindore, pasi i ka njohur ato si shtete të pavarura.

Në Londër, indeksi i aksioneve FTSE 100 u hap më shumë se me 1,4% përpara se të rikuperonte pak terren, ndërsa tregjet aziatike të kapitalit u mbyllën më ulët dhe stoqet amerikane u përgatitën për humbje.

Britania e Madhe dhe disa aleatë perëndimorë kanë kërcënuar me sanksione kundër Rusisë, e cila është eksportuesi i dytë më i madh i naftës pas Arabisë Saudite.

Rusia është gjithashtu prodhuesi kryesor në botë i gazit natyror.

Rusia ka thënë se trupat e saj do të angazhohen në “ruajtjen e paqes” në Republikat e vetëshpallura Popullore të Donetskut dhe Luhanskut.

”Kriza Ukrainë-Rusi mund të ketë pasoja thelbësore në çmimet e naftës, të cilat janë rritur më shumë se 10% që nga fillimi i muajit”, theksoi Sue Trinh nga ”Manulife Investment Management”.

”Sanksionet që detyrojnë Rusinë të furnizojë më pak naftë bruto ose gaz natyror do të kishin një ndikim të madh në ekonominë globale”, shtoi ai./  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like