FOKUS – Sunak viziton Ukrainën me një paketë shumë miliardëshe ndihme ushtarake

by admin
Spread the love

LONDËR, 12 janar /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik Rishi Sunak po bën një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë për të takuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, pasi Britania e Madhe njoftoi se do të ofrojë 2,5 miliardë paund (3,2 miliardë dollarë) ndihmë ushtarake për vendin gjatë këtij viti.

Ajo vjen ndërsa presidenti ukrainas u bën presion aleatëve në Perëndim që t’i ofrojnë vendit më shumë mbështetje për të luftuar kundër forcave ruse, mes frikës se interesi për luftën po zbehet mes aleatëve ndërsa lufta zvarritet.

Kriza në Lindjen e Mesme teksa Izraeli vazhdon të bombardojë Gazën ka larguar gjithashtu vëmendjen globale nga beteja kundër presidentit rus Vladimir Putin.

Sunak theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë për Kievin përpara takimit të tij me Zelensky, i cili vjen disa orë pasi forcat e Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së filluan sulmet kundër objektivave të përdorura nga rebelët Houthi në Jemen.

Kryeministri britanik tha se ”për dy vjet, Ukraina ka luftuar me guxim të madh për të zmbrapsur një pushtim brutal rus. Ata janë ende duke luftuar, të palëkundur në vendosmërinë e tyre për të mbrojtur vendin e tyre dhe për të mbrojtur parimet e lirisë dhe demokracisë”.

”Unë jam këtu sot me mesazhin se Mbretëria e Bashkuar gjithashtu nuk do të lëkundet. Ne do të qëndrojmë me Ukrainën, në orët e saj më të errëta dhe në kohët më të mira që do të vijnë”, theksoi ai.

Sunak bëri vizitën e tij të parë në Ukrainë në nëntor 2022.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë ndër mbështetëset më të zëshme të Ukrainës, me Zelenskyn që vizitoi Londrën në fillim të vitit të kaluar në një udhëtim historik./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like